Administrata e Presidentit Donald Trump po i kërkon Gjykatës Penale Ndërkombëtare të ndryshojë dokumentin e saj themelues, në mënyrë që të garantojë se institucioni nuk do të hetojë vetë Presidentin republikan dhe zyrtarët e tij më të lartë.
Një zyrtar i administratës Trump konfirmon se, nëse kjo kërkesë nuk merret parasysh, SHBA-ja do të vendosë sanksione të reja kundër gjykatës, shkruan A2.
Sipas tij, nëse ICC nuk i plotëson këtë kërkesë dhe dy të tjera, ndërprerjen e hetimeve ndaj liderëve izraelitë lidhur me luftën në Gaza, si dhe mbylljen zyrtare të hetimit të mëparshëm ndaj trupave amerikane për veprimet e tyre në Afganistan, atëherë Uashingtoni mund të penalizojë disa zyrtarë shtesë të ICC-së, madje edhe vetë institucionin.
“ICC-ja u krijua për të vendosur përgjegjësi individuale ndaj shkelësve të normave themelore të së drejtës ndërkombëtare në një kontekst ndërkombëtar. Për herë të parë, një gjykatë e përhershme penale ndërkombëtare nisi ndjekjen penale të atyre që në mënyrë të përditshme i quajmë ‘kriminelë lufte”, shpjegon Gerry Simpson.
Por, si funksionon gjykata?
Statuti i Romës, dokumenti themelues i ICC-së, u kërkon të gjitha 124 shteteve anëtare të arrestojnë dhe dorëzojnë çdo person për të cilin gjykata ka lëshuar urdhër-arresti, nëse ai shkel territorin e tyre. Por, në praktikë, kjo është shumë e vështirë për t’u zbatuar, thotë profesori i të drejtës ndërkombëtare në London School of Economics, Gerry Simpson: “Është shumë e vështirë të zbatosh një urdhër-arresti. E kemi parë me Afrikën e Jugut dhe al-Bashir. Gjykata as nuk e referoi rastin te Asambleja e Shteteve. Ka një dimension juridik, por edhe një politik – dhe politika lidhet ngushtë me diplomacinë”.
Lëshimi i një urdhër-arresti nuk e ndalon menjëherë lirinë e lëvizjes së një individi. Megjithatë, ai rrezikon arrestimin nëse udhëton drejt një shteti nënshkrues, gjë që mund të ndikojë në vendimmarrjen e tij: “Procesi është i gjatë: çështja i referohet gjykatës nga një shtet, Këshilli i Sigurimit, ose nga prokurori. Më pas dhoma paraprake vendos nëse mund të lëshohet urdhër-arresti. Pasi lëshohet, urdhër-arresti bëhet detyrues për çdo shtet që ka në territor të dyshuarin”.
Por, çfarë ndodh kur shtetet nuk zbatojnë urdhër-arrestin?
Sanksioni formal është referimi i çështjes te Asambleja e Shteteve Anëtare dhe, në fund, te Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Ka pasur disa raste moszbatimi. Presidenti sudanez Omar al-Bashir, i akuzuar në vitin 2009 për gjenocid në Darfur, qëndroi në pushtet edhe një dekadë, derisa u rrëzua nga një grusht shteti. Gjatë viteve në pushtet ai udhëtoi në shumë vende afrikane dhe arabe – përfshirë shtete anëtare të ICC-së si Çadi, Xhibuti, Jordania, Kenia, Malaui, Afrika e Jugut dhe Uganda – të cilat refuzuan ta arrestonin.
Gjykata i qortoi apo i referoi ato raste te Këshilli i Sigurimit.
Prokurori Julian Nicholls thotë: “Afrika e Jugut nuk përmbushi detyrimin për të arrestuar dhe dorëzuar al-Bashir. Duke marrë parasysh gravitetin e rastit dhe rrethanat, ne kërkojmë referimin e çështjes te Asambleja e Shteteve Anëtare dhe te Këshilli i Sigurimit”.
“Nëse një shtet palë nuk zbaton urdhër-arrestin, çështja mund të përfundojë në Asamble dhe, në fund, në Këshillin e Sigurimit. ICC vetë nuk mund të bëjë shumë”, shpjegon Simpson.
Cilat shtete nuk janë palë të Statutit të Romës?
Rusia e nënshkroi Statutin në vitin 2000, por u tërhoq në 2016, pasi ICC e kualifikoi aneksimin e Krimesë si konflikt të armatosur. SHBA-ja, Kina, Izraeli dhe Irani janë ndër vendet që nuk janë shtete palë dhe nuk kanë detyrim të arrestojnë të akuzuarit. Mes figurave kryesore të akuzuara, janë Presidenti i Kenias, William Ruto, dhe paraardhësi i tij Uhuru Kenyatta. Ata u akuzuan nga ICC para se të fitonin zgjedhjet. Çështjet ndaj tyre u hodhën poshtë. Kenyatta mbetet i vetmi udhëheqës që është paraqitur para ICC-së ndërsa ishte ende në detyrë.
Një nga figurat më të spikatura të shpallura në kërkim është Presidenti rus Vladimir Putin, i akuzuar për krime lufte lidhur me deportimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina. Urdhri i arrestit u lëshua në mars 2023. Kremlini e quajti vendimin të pavlefshëm dhe mohoi akuzat për mizori në Ukrainë.
“Kur diplomacia për paqen në Ukrainë të përplaset me urdhër-arrestin për Putinin, çfarë do të ndodhë? A do të injorohet urdhri apo do të tentohet zbatimi, duke rrezikuar procesin e paqes? Kjo nuk është menduar mirë”, thotë Simpson.
Zyra e Prokurorit të ICC-së lëshoi gjithashtu urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrin e tij të mbrojtjes, si dhe për tre liderë të Hamasit, për krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të dyja palët i kanë mohuar akuzat dhe kanë kritikuar vendimin e prokurorit Karim Khan.
“Vetëm me ndryshim qeverish dhe madje ndryshim radikal, në Rusi apo Izrael, do të mund të arrestoheshin Putin apo Netanyahu. Por, gjërat ndryshojnë shpejt në politikë. Millosheviçi ishte partner negociatash me NATO-n, pastaj u bë i akuzuar për gjenocid. Urdhrat e arrestit janë të përhershëm – kjo u jep atyre avantazh ndaj politikës”, deklaron Simpson.
Në fund, mbetet e qartë se përplasja mes Uashingtonit dhe Gjykatës Penale Ndërkombëtare nuk është thjesht një konflikt juridik, por një test i madh për vetë arkitekturën e drejtësisë globale.
Ndërsa ICC kërkon të mbajë gjallë parimin e përgjegjësisë universale, fuqitë e mëdha tregojnë se politika vazhdon të peshojë më shumë se ligji. Pavarësisht presioneve, kritereve të dyfishta apo moszbatimit të urdhër-arresteve, kjo betejë shtron pyetjen thelbësore: a mund të ekzistojë drejtësi ndërkombëtare në një botë ku fuqia shpesh është mbi ligjin? (A2 Televizion)