
Në dokumentin e parë të madh teologjik të pontifikatit të tij, Papa Leoni XIV ka lëshuar një thirrje urgjente globale për rregullimin e Inteligjencës Artificiale (AI). Përmes enciklikës së titulluar “Magnifica Humanitas” (“Njerëzimi Madhështor”), Ati i Shenjtë paralajmëroi se teknologjia po ushqen konfliktet botërore dhe këmbënguli që kontrolli i saj nuk duhet të mbetet në duart e “një pakice”.
Në një lëvizje që thyen traditën shekullore, Papa i parë amerikan e prezantoi personalisht dokumentin prej 235 faqesh në Vatikan, i shoqëruar nga Chris Olah, bashkëthemelues i kompanisë së njohur të AI, Anthropic, shkruan A2 CNN.
Duke u mbështetur në rrëfimin biblik, Papa Leoni XIV paralajmëroi se me zhvillimin e pakontrolluar të AI, njerëzimi rrezikon të ndërtojë një “Kullë të Babelit”, një përpjekje për të krijuar një pushtet të vetëm që dominon dhe në fund “zhvlerëson njerëzoren”.
Papa kërkoi që teknologjia t'u nënshtrohet “kornizave të rrepta ligjore dhe mbikëqyrjes së pavarur”, duke mbrojtur vendet e punës dhe dinjitetin e personit. Ai kritikoi ashpër rrymat si “trans’humanizmi” dhe “post’humanizmi”, të cilat kërkojnë të mjegullojnë kufijtë midis njerëzve dhe makinave.
“Ne nuk mund ta konsiderojmë Inteligjencën Artificiale si moralisht neutrale”, shkruan Papa. “Çdo mjet teknik mishëron zgjedhje dhe prioritete përmes asaj që mat, injoron apo optimizon”.
Përtej teknologjisë, enciklika prek krizat e thella që po kalon njerëzimi. Papa Leoni XIV deklaroi se doktrina e hershme e krishterë e “luftës së drejtë” është tashmë e vjetruar, duke theksuar se forca ushtarake mund të përdoret vetëm për “vetëmbrojtje në kuptimin më rigoroz të saj”.
Sipas tij, përdorimi i armëve ka pasoja katastrofike për civilët dhe “ndërtimi i një bote në gjendje konflikti të përhershëm është një e keqe që duhet emëruar si e tillë”. Ky qëndrim vjen pas përplasjeve verbale me administratën e Presidentit amerikan Donald Trump dhe deklaratave të Zëvendëspresidentit JD Vance, i cili i kishte kërkuar Papës “të bënte kujdes kur fliste për teologjinë”, pas kritikave të ashpra të Vatikanit ndaj sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael në Iran.
Data e nënshkrimit të dokumentit, 15 maj 2026, nuk është e rastësishme. Ajo përkon saktësisht me 135-vjetorin e enciklikës “Rerum Novarum” të Papës Leoni XIII (1891), e cila mbrojti të drejtat e punëtorëve gjatë Revolucionit Industrial. Papa aktual theksoi se “Magnifica Humanitas” synon t'i përgjigjet një tjetër revolucioni industrial, atij të inteligjencës artificiale. (A2 Televizion)