
Dokumente të reja të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA hedhin dritë mbi interesin e financierit të diskredituar Jeffrey Epstein për testime gjenetike dhe kërkime mbi zgjatjen e jetës. Sipas email-eve të përfshira në të ashtuquajturat “Epstein files”, Epstein kishte paguar për analiza të avancuara të ADN-së me synimin për të eksploruar mundësitë e mjekësisë rigjeneruese dhe teknologjive të reja si CRISPR.
Disa vite pas dënimit të tij të parë në vitin 2008 për akuza që lidhen me prostitucionin, Epstein kontaktoi mjekun dhe studiuesin Joseph Thakuria, në atë kohë i lidhur me Massachusetts General Hospital dhe me projektin Harvard Personal Genome Project, shkruan A2 CNN. Sipas dokumenteve, në vitin 2014 Thakuria i dërgoi Epstein një propozim për studime gjenetike, që përfshinte edhe analiza të personalizuara për të. Pak muaj më vonë, Epstein pagoi 2 mijë dollarë për sekuencimin e një pjese të gjenomit të tij dhe për analizën e disa qelizave të përdorura në kërkime eksperimentale mbi plakjen.
Në një deklaratë për CNN, Thakuria tha se Epstein ishte thjesht një subjekt kërkimor i regjistruar në Personal Genome Project dhe se diskutimet për financim më të gjerë nuk u konkretizuan kurrë. Ai shtoi se ndihet keq për viktimat e Epstein dhe se në atë kohë nuk ishte në dijeni të plotë për përmasat e krimeve të tij.
Email-et tregojnë gjithashtu se Epstein kishte interes për projekte më ambicioze, përfshirë idenë e redaktimit të qelizave staminale për të “rritur jetëgjatësinë”, si dhe një projekt të paqartë të quajtur “Venus”, i cili sipas Thakurias nuk u realizua kurrë dhe nuk mori financim. (A2 Televizion)