Me rastin e 26-vjetorit të çlirimit të Kosovës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani thekson se luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e NATO-s e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë, “në atë ditë historike, ata sollën dritë pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet”.
Presidentja Osmani në mesazhin për 12 qershorin, Ditën e Çlirimit, ka shkruar në Facebook se pavarësisht përpjekjeve të armiqve të Kosovës për ta ndryshuar historinë, një histori e shkruar me gjak nuk mund të ndryshohet e as fshihet nga gënjeshtra të shkruara me laps.
“Kosova e lirë, përjetë krenare. Në këtë ditë, 26 vjet më parë, mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa: 50 mijë ushtarë të NATO-s hynë në vendin tonë të stërvuajtur duke kontribuar në çlirimin e një populli që ishte shtypur me shekuj, e mbi një milion shqiptarë u kthyen në shtëpitë e tyre”, ka shkruar Osmani.
Sipas saj, “Kosova e lirë, e pavarur, demokratike, e përjetshme! Sepse përjetësinë ia dhanë dëshmorët e martirët e lirisë”.
Me rastin e 26-vjetorit të çlirimit të Kosovës, institucionet qendrore dhe locale kanë organizuar disa aktivitete për shënimin e kësaj dite. (A2 Televizion)