KFOR shënon 26-vjetorin: Ushtarët rrezikojnë veten për të siguruar paqe në Kosovë

Nga A2 CNN
12 Qershor 2025, 13:50 | Aktualitet

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka shënuar sot 26-vjetorin e themelimit me një ceremoni të mbajtur në Shtabin e KFOR-it, në Kampin Film City në Prishtinë.

Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani, udhëhoqi ceremoninë, shkruan A2 CNN.

Ai e hapi atë me vendosjen e një kurore dafine në monumentin e të Rënëve në Shtabin e KFOR-it.

Ceremonia u ndoq nga personeli i të gjitha 33 Kombeve Kontribuese të Trupave, përfshirë Aleatët dhe partnerët e NATO-s, tha KFOR-i në një njoftim.

“Sot, nderojmë përkushtimin dhe guximin e ushtarëve të KFOR-it, të cilët rrezikojnë veten në vijën e detyrës për të siguruar paqe dhe stabilitet për të gjitha komunitetet në Kosovë, nën një mandat të OKB-së.

Që nga fillimi i misionit në vitin 1999, dyqind e njëzet pjesëtarë të shërbimit të KFOR-it kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës. Shembulli i tyre duhet të na frymëzojë në detyrat tona të përditshme për përmbushjen e misionit të KFOR-it”, tha Barduani, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos