Historia gjithmonë përsëritet. Në rastin e Kosovës është përsëritur lavdia… Lavdia e një personi që sakrifikoi jetën në shërbim të atdheut. Sot bëhet 1 vit kur Kosova dhe të gjithë ne, humbën rreshterin Afrim Bunjaku, i cili bashkë me dy efektivë të tjerë u përplasën në mënyrë heroike me mbi 30 terroristë të hyrë vjedhurazi nga Serbia.
Ashtu si në luftën e fundit, ku luftëtarët e UÇK-së ishin pakicë përballë forcave serbe, edhe në Banjskë të Zveçanit fitoi zemra e trimave që nuk lejuan finalizimin e planit djallëzor të thurur nga kryeterroristi, Milan Radoiçiç, për të ndarë Kosovën dhe aneksuar veriun.
Tashmë ka kaluar 1 vit, por drejtësia dhe prangosja e përgjegjësve nuk duket afër në horizont. Ndërkombëtarët vazhdojnë të mbyllin sytë dhe të dënojnë vetëm verbalisht terroristët për agresionin, ndërsa shteti serb, ashtu si pas sulmit, vetëm i glorifikon dhe i mbron autorët.
Në këtë situatë, alarmi për ndonjë përsëritje të mundshme të sulmit nga grupi i Radoiçiç që vazhdon të stërvitet nga ushtria serbe, është gjithmonë i pranishëm. Por qetësues është zotimi nga policia dhe forcat speciale të Kosovës që janë gati ta mbrojnë atë tokë, tashmë të larë me gjak dëshmorësh. Lavdi heroit Afrim Bunjaku! Tani ju ftoj të ndjekim pa koment, disa momente nga patrullimet e Afrim Bunjakut në veri të Kosovës. (A2 Televizion)