“Ta ruajmë çdo pëllëmbë të Kosovës”. Rrëfimi ekskluziv në A2 CNN, porosia e fundit e heroit Afrim Bunjaku

Nga Tomorr Avdia
24 Shtator 2024, 20:05 | Aktualitet

Pikëllimi, por mbi të gjitha krenaria e madhe e sakrificës heroike për liri ishin ndjenjat mbizotëruese në familjen e heroit, Rreshterit Afrim Bunjaku. I vëllai, Muj Bunjaku, rrëfen ekskluzivisht për A2 CNN porositë e fundit, por edhe emocionet që përjetojnë, kur bëhet 1 vit kur Kosova dhe familja e tij humbën një nga më të mirët e shoqërisë.

“E kemi humbur njeriun tonë më të mirë. Mirëpo ndihemi krenar që kemi pasur një trim si ai, si hero i kombit. Krenaria po na mban dhe ajo është shumë e madhe nga të gjitha anët”, thotë ai ekskluzivisht për A2 CNN.

Muji tregon dhe momentin kur mori vesh se çfarë ndodhi në orët e para të 24 shtatorit të vitit të kaluar. “Në atë natë kritike, kanë telefonuar nga Kosova të dy djemtë e xhaxhait, dhe më kanë treguar për rastin tragjik. Më kanë marrë në telefon në 5:30 të mëngjesit. I kam thënë, Florim çfarë ka të re, sepse kur dikush të telefonon në atë orë, nuk pritet diçka e mirë. Më tha e kanë plagosur Afrimin në veri. Unë thash, e paskan vrarë. Kur kam ardhur të shtëpia më kanë thënë: duhet të bëhesh i fortë sepse ka rënë për atdhe. Është e vështirë, por krenaria më e madhe. Më mirë nuk ka se me ra për atdhe”, thotë ai.

Ai rrëfen edhe porositë e fundit që heroi Afrim Bunjaku kishte, jo vetëm për familjen e vet, por për të gjithë shqiptarët. “Duhet ta çojmë amanetin e tij deri në fund. Ta mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të republikës së Kosovës. Ai, sa ishte gjallë, thoshte gjithmonë: ‘duhet të ruajmë çdo pëllëmbë të Kosovës’. Këtu mund të jetojnë qytetarë pa dallim kombësie, por që e njohin dhe e respektojnë ligjin dhe kushtetutën e Kosovës. Për terroristë nuk ka vend këtu. Ashtu ra, u doli përpara duke u thënë: ‘këtu nuk ka vend për terroristë’. Jemi krenar që kemi pasur kështu vllau e kështu djali”.

Muj Bunjaku i bën apel bashkësisë ndërkombëtare që t’i bëjë presion Serbisë për dorëzimin e përgjegjësve për sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës. “Shpresoj që bashkësia ndërkombëtare të bëjë presion dhe të dorëzohen terroristët para gjykata në Kosovë, të dalin para drejtësisë dhe të tregojnë pse e kanë bërë atë akt terrorist. E gjithë dëshira jonë kjo është. Nuk mundet që terroristët të jetojnë të lirë në Serbi. Duhet të marrin dënimin e merituar. Kur lëvizin të lirshëm, ne e kemi shumë të vështirë. Si familjarë shpresojmë që deri në 2 vjetorin ata ta marrin dënimin e merituar”.

Muj Bunjaku tregon për A2 CNN se dhimbja është e madhe, por se familja ka marrë mesazhe të përzemërta dhe mbështetje nga mbarë trojet shqiptare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos