NATO ka dërguar rreth 1 mijë trupa shtesë në Kosovë si përgjigje ndaj sulmit të Banjskës dhe trazirave të vitit të kaluar.
Këtë e konfirmon një zyrtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut për A2 CNN. “Ne kemi katërfishuar praninë tonë në veri dhe kemi trefishuar patrullimet, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative.
Kjo ndihmon për të penguar sulmet e mëtejshme dhe për të qetësuar popullatën lokale”, lexohet në reagimin që dha për A2 CNN një zyrtar i NATO-s.
Më tej funksionari i Aleancës së fuqishme përsërit se ngjarjet dhe sulmet e vitit të kaluar janë të papranueshme.
“Ne u kemi kërkuar autoriteteve përkatëse në Prishtinë dhe në Beograd që të kryejnë hetimet e nevojshme ligjore për të vërtetuar faktet dhe për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë”, lexohet në përgjigje për A2.
Gjithashtu përsëritet fakti se komandanti i KFOR-it është vazhdimisht në kontakt me policinë e Kosovës dhe organizatat e tjera të sigurisë në Kosovë, gjithashtu me EULEX-in dhe shefin e mbrojtjes të ushtrisë serbe për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Rajon. (A2 Televizion)