“Akt terrorist në Zveçan”, sulmohet rajoni i policisë, Elshani: Situatë delikate në Veri

Nga Rosalba Bejdo
27 Nëntor 2024, 20:19 | Aktualitet

Veriu i Kosovës u trondit nga një tjetër sulm në mesnatë. dy granata M-75 që dyshohet të jenë prodhim jugosllav u hodhën kundër stacionit të policisë së Kosovës në Zveçan.

Siç bëri të ditur policia, si pasojë e shpërthimit të shkaktuar nga granatat pati dëme material por jo të lënduar. Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci e cilësoi aktin si terrorist.

Në vendin e ngjarjes dolën të gjitha njësitë përkatëse, ndërsa ajo e krimeve të rënda është informuar lidhur me detajet dhe po punon intensivisht për të zbuluar autorët e sulmit.

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që ai të regjistrohet si ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.

Policia e Kosovës dënon ashpër këto veprime të rrezikshme dhe apelon tek qytetarët që të bashkëpunojnë me autoritetet për të ndihmuar në identifikimin e autorëve të këtij sulmi. Çdo informacion që mund të ndihmojë hetimet mund të raportohet në numrat e Policisë apo përmes linjave të besueshme të raportimit”, thuhet në komunikatë e policisë.

Ndërkohë në një prononcim gjatë së mërkurës, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani tha se nuk mund të flasë nëse ka të dyshuar, dhe se situata në veri mbetet delikate. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos