Një shall me të cilin një grua mbështolli barkun për të fshehur shtatzëninë në muajin e gjashtë... Një xhaketë e veshur nga një tjetër grua ditën e dhunimit…Janë dëshmi të krimeve të përjetuara 25 vite më parë; Me dhjetëra rrëfime të padëgjuara brenda hapësirës së muzeut të parë të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, i cili u hap të martën pasdite në Prishtinë.
Emri i këtij muzeu është “Çast” dhe vjen si dëshmi e jetës dhe vuajtjeve të rreth 20 mijë grave e burrave që u dhunuan nga forcat serbe në luftën e viteve 1998-1999.
Kuratorja e muzeut "Çast", Eliza Hoxha tregoi se këto hapësira thërrasin për reflektim dhe njohje të dhimbjes që kanë përjetuar gratë e burrat nga Kosova.
Ndërsa ideatorja dhe themeluesja e Fondacionit Jahjaga, ish-presidentja Atifete Jahjaga tha se këto hapësira janë dëshmi e jetës dhe vuajtjeve të përjetuara për më shumë se dy dekada të grave e burrave të dhunuar seksualisht në luftë. (A2 Televizion)