“Duam drejtësi për sulmin në Banjskë”, Gjermania i tregon vendin Serbisë: Mjaft u ankuat për Kosovën

Nga A2 CNN
2 Korrik 2025, 20:05 | Aktualitet

Gjermania i tregon vendin Serbisë, pas ankesave të shumta në drejtim të Kosovës. Ambasada e qeverisë së Berlinit në Prishtinë, kritikoi ashpër Beogradin sepse nuk po i trajton me seriozitet kërkesat për ndjekjen penale të personave përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë.

Madje përfaqësia diplomatike përmend një shprehje gjermane që simbolikisht fton shtetin serb të bëjë detyrat e caktuara, përpara se të kritikojë veprimet e Kosovës.

“Fakti që udhëheqësi i vetëpranuar i atij sulmi, serbi i Kosovës dhe ish-nënpresidenti i Listës Srpska, zoti Radoiçiç, ka pranuar përgjegjësinë publikisht, por vazhdon të lëvizë lirshëm në territorin serb, dobëson thellësisht përpjekjet për ndërtimin e besimit dhe përgjegjshmërisë në rajon. Në gjermanisht themi, ‘së pari pastroni para derës suaj’. E përshtatur për situatën aktuale, kjo fjalë e urtë na kujton se duhet të rregulloni shtëpinë tuaj para se të akuzoni vazhdimisht Kosovën për vendimet e saj”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Personat e akuzuar për sulmin terrorist më 24 shtator, 2023, u panë më 28 qershor në Parkun e Pionierëve në Beograd, përballë zyrës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. Reagimi i ambasadës vjen ndaj letrës se fundit të kryenegociatorit serb për dialogun, Petar Petkoviç, ku ai i bën thirrje Bashkimit Europian, Shteteve Anëtare dhe palëve të tjera të ndalojnë atë që e përshkruan si “veprimet përshkallëzuese të Prishtinës”, konkretisht ndërtimin e dy urave shtesë mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Përfaqësia diplomatike kritikon dhe qeverinë e Kosovës për urat mbi Ibër duke cilësuar këtë iniciativë si “veprim përshkallëzues”. Megjithatë, sipas ambasadës, thirrjet për ulje të tensioneve duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjitha palët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos