Një hoxhë në Kosovë është vendosur në qendër të vëmendjes këtë të premte pasi në xhaminë që ai drejton ka ngritur flamurin amerikan për të shënuar pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Imami Labinot Maliqi në një intervistë për gazetarin e A2 CNN, Ideal Gola u shpreh se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Trump, për të cilin tha se e shpëtoi vendin nga një tjetër pushtim i Serbisë.
“Presidenti Donald Trump është një mik i Kosovës. Ai është një garantues i stabilitetit në Ballkan. E meriton të falënderohet dhe për parandalimin e pushtimit të sërishëm nga Serbia të cilën Trump e ka potencuar. Ka qenë i nevojshëm reagimi i tij. I jemi mirënjohës dhe shpresojmë që mbështetja e tij të mos mungojë për shtetin e Kosovës. Ata që kanë një mendje të shëndoshë, vlerat tona na kujtojnë që të kemi mirënjohje për të gjithë ata që na ndihmojnë”, tha Maliqi për kamerën e A2. (A2 Televizion)