Sot ishte dita e së vërtetës së madhe për luftën për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në Gjykatën Speciale nisi dëshminë e tij në mbrojtje të ish komandantëve, James Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit.
Në fjalën e tij para trupës gjykuese në Hagë, ai nënvizoi “se përpjekja për të sjellë paqen dhe për të parandaluar një masakër masive të shqiptarëve të Kosovës, ishte e madhe”.
Rubin konfirmoi se gjatë negociatave për paqen në Kosovë në vitin 1999, kishte ndërveprime të drejtpërdrejta me Thaçin dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së.
“Pikërisht këtë synova në punën time me të, t’i jepnim fund konfliktit, të sillnim paqe e stabilitet në rajon dhe të arrihej njohja e Kosovës dhe njohja e Serbisë si dy shtete të pavarura, që jetojnë në paqe dhe siguri. Ky do të ishte një përfundim i bukur i një historie mjaft të dhimbshme”, tha Rubin duke rikujtuar takimin e fundit me Hashim Thaçin në vitin 2019.
Thaçi ka angazhuar dhe 11 dëshmitarë të tjerë në mbrojtje të tij. Më pas do të jetë radha e ish kryetarit të kuvendit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe ish deputetit, Rexhep Selimi. Prokuroria Speciale i akuzon ish krerët e UÇK për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit, duke pretenduar se ishin pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
Dëshmitari Rubin gjatë fjalës së tij ka rrezuar këtë pretendim, ndërsa theksoi rolin e kufizuar të Thaçit në vendimmarrje, duke pohuar se ishte vetëm një lider politik. (A2 Televizion)