Dëshmia e Rubin, avokati: Shembi tezën për ndërmarrje të përbashkët kriminale

Nga Ideal Gola
15 Shtator 2025, 19:22 | Aktualitet

Procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka hyrë në fazën finale. Të hënën James Rubin, ish-ndihmës sekretar amerikan në periudhën e luftës në Kosovë, nisi me dhënien e dëshmive në favor të ish-krerëve të UÇK-së.

Avokatët thanë se dëshmitë e personaliteteve si James Rubin janë shumë të vlefshme në rrëzimin e akuzave të rënda që nagrkohen për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

“E ka shembur në tërësi tezën e aktakuzës për ndërmarrje të përbashkët kriminale, pra rëndësia e dëshmisë së Jamës Rubin është se e shemb tezën e Zyrës së Prokurorit Special, pra aktakuzës, se këta krerë të UÇK kishin ndërmarr një veprim të përbashkët për të kryer krime, të kundërtën e vërteton James Rubin”, tha për A2 CNN avokati Xhevdet Smakiqi.

Dëshmia e Rubin vlerësohet se ndihmoi të rikonfirmonte orientimin perëndimor të UÇK-së dhe pastërtinë e financimit të saj. Kjo sipas avokatëve ka rëndësi për të ruajtur edhe qëllimin për të cilën ishte ngritur UÇK si strukturë.

“Ky është një fat shumë i madh sepse jo që po zbardhet e vërteta por po shkëlqen edhe historia edhe e Hashim Thaçi, edhe e krerëve të UÇK-së, por lavdia e UÇK po mbetet e shkëlqyer në sytë e botës demokratike që i përfaqëson James Rubin”, shtoi Smakiqi.

Edhe monitoruesit e procesit gjyqësor thonë se Rubin dha kontekste shumë të rëndësishme të funksionimit të UÇK-së në periudhën e luftës.

“Dëshmitë e tyre vlerësohet se janë të rëndësishme për shkak se shpalosin rrethana që kanë ndodhur gjatë periudhës së aktakuzës, dhe mund ta ndihmojnë trupin gjykues t’i kuptojnë më mirë ato rrethana dhe ta kuptojnë saktësisht rolin që kanë pas të akuzuarit gjatë as kohe. Duke u nisur prej faktit që personalitetet e larta të diplomacisë amerikane tregon se SHBA kanë një mbështetje të madhe për zbardhjen e të vërtetës në këtë proces gjyqësor”, tha për A2 CNN, monitoruesja e punës së Gjykatës Speciale, Blendina Veliqi.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi gjenden në paraburgim për akuza për krime të pretenduara të luftës që nga nëntori i vitit 2020. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos