Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ende nuk ka prova se kush mund ta ketë kryer sulmin ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës në fund të muajit të kaluar, por shtoi se “ne mendojmë se do të gjenden prova”.
I pyetur në një intervistë nga mediat e Kosovës se çfarë dihet deri tani rreth sulmit, Hovenier përsëriti se është ende shumë herët të thuhet. “Është ende shumë herët dhe siç e kam thënë javën e kaluar, që Shtetet e Bashkuara të jenë në gjendje të atribuojnë përgjegjësinë, duhet të kemi prova të qarta. Ne mendojmë se do të gjenden prova, por ende nuk i kemi. Pra, hetimet po vazhdojnë; po kryhen nga autoritetet kosovare”, tha ai.
Hovenier tha se në mbrëmjen e sulmit dhe pas sulmit, Qeveria e Shteteve të Bashkuara iu ofroi autoriteteve kosovare mbështetjen e forcave amerikane të zbatimit të ligjit. (A2 Televizion)