Drejtori i Agjencisë së parandalimit dhe luftimit të korrupsionit në Kosovë pranoi të ndante për gazetarin e A2 CNN në Prishtinë dhe Ditarin e Kosovës detaje nga puna e kësaj zyre, rezultatet e natyrisht edhe pengesat që hasin.
Sipas Buleshkaj problem më i madh sot për sot në Kosovë mbetet drejtësia dhe ndëshkueshmëria.
Rastet kanë ardhur duke u rritur në termat e denoncimit dhe ky është hap i madh, por nga ana tjetër sipas tij Prokuroria ka problem me hetimin penal dhe në fund gjyqësori mbetet hallka më e dobët në dhënien e vendimeve për rastet e korrupsionit.
Motoja e agjencisë është me Kosovën pa korrupsion, por edhe vetë shoqëria duhet të zgjohet në këtë luftë dhe të bëhet më aktive.
“Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit të Kosovës zhvillon një mandat mjaft thelbësor në parandalimin e korrupsionit, që nis nga deklarimi i pasurisë dhe dhuratave, si dhe verifikimi i këtyre regjistrave, pastaj vazhdon me hetimet adekuate për konflikt interesi dhe vazhdon më tutje me shqyrtimin e legjislacionit për masa kundër korrupsionit, me vlerësimet, me plane integriteti dhe me monitorimin e strategjisë kombëtare kundër korrupsionit”, tha Buleshkaj. (A2 Televizion)