Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Svecla tha të hënën se organet e rendit dhe të drejtësisë janë në kërkim të politikanit serb të Kosovës, Aleksandar Arsenijeviq, pasi policia gjeti armë në një pronë të tij në veri të vendit një ditë më parë. Sveçlatha se Arsenijeviq nuk ndodhet në Kosovë dhe se do të ndalet në momentin që futet në territorin e vendit”.
“Tri prona të tij dhe të familjes së tij janë bastisur dje. Ndër të tjera janë gjetur edhe pajisje për mining për kriptovaluta, që është shkelje doganore, një jelek antiplumb dhe gjëra të tjera, gjë që tregon se ai ka qenë i kyçur në krim për një kohë të gjatë” .
Më herët të hënën, Partia e Arsenijeviqit, Demokracia Serbe e pranoi se armët janë gjetur në tokën ku ndodhet shtëpia e pushimit e liderit të saj, megjithëse pretendon se ato janë “të kurdisura” nga autoritetet e Kosovës.
Demokracia Serbe shtoi se në kohën e bastisjes të dielën, lideri i saj ndodhej në Serbi. Të dielën në një postim në Facebook, Sveçla tha se armët e gjetura në pronën e Arsenijeviqit do të mjaftonin “për një njësit terrorist".
Ai shtoi se gjatë bastisjeve në Vallaq të Zveçanit, që sipas tij u kryen nga Policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës – nën vëzhgimin e KFOR dhe EULEX u gjetën raketahedhës, granata dore si dhe armë e municione të llojeve të ndryshme.
Autoritetet Kosovare kanë gjetur vazhdimisht armë të llojeve të ndryshme, kryesisht në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe. (A2 Televizion)