Instituti për Hulumtime dhe Zhvillim në Prishtinë PIRDEV ka mbajtur një konferencë lidhur me bashkëpunimin ndërkufitar, me temën “Modeli i ri i integrimit për Ballkanin Perëndimor”.
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, tha se po përballemi me një luftë hibride dhe lajme të rreme, fenomen të cilit po i kundërvihemi.
“Maqedonia e Veriut ballafaqohet me lajme të rreme dhe luftë hibride, ku mundohemi të kapim hapin edhe pse jemi të kufizuar me buxhet. Mirëpo po punohet në këtë drejtim për të ndërtuar mbrojtje nga kjo luftë, e cila është aktuale dhe problem për cilëndo qeveri, e sidomos të rajonit. Në parim, mendoj se më i drejtë është kur mandati merret drejtpërdrejt nga qytetari sesa kur delegohet, por edhe ato kanë nuancat dhe modelet e veta. Por unë mendoj se model më i mirë janë listat e hapura në Kosovë, të cilat mundësojnë që deputetë të bëhen ata që janë më të votuar dhe kanë përkrahje. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut është sistemi proporcional ku kryesisht respektohet kriteri i lojalitetit ndaj liderit”, tha zv.kryeministri Izet Mexhiti.
“Kosova është më e cenueshme se cilido prej vendeve të rajonit nga lufta hibride. Lufta hibride, në mënyrën e vet më të sofistikuar, është duke u përdorur për një kohë të gjatë. Kemi qenë cak i asaj lufte për një kohë të gjatë. Është për të sjellë situata të hutimit dhe mos me ditë se çka po dëshirojmë… Kualiteti në Parlamentin e Kosovës është gjithmonë e më i brishtë. Nuk janë gabim listat e hapura. Sistemi me lista funksionon edhe në vende të tjera dhe nuk është problematik, pasi lista e hapur mundëson që cilido kandidat që ka mbështetje më të madhe të renditet lart. Mirëpo problemi është te vota preferenciale, e cila është e kotë. Kjo ka ndodhur për shkak të frikës së disa përfaqësuesve se mund të ketë ndryshime të mëdha në listë,” theksoi Ardian Gjini. (A2 Televizion)