Ish-gjenerali i Ushtrisë së Jugosllavisë dhe i dënuari i Hagës, Nebojsha Pavkoviç, vdiq në moshën 79-vjeçare në Beograd, raporton Radio Televizioni i Serbisë.
Pavkoviç, si komandant i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, u dënua nga Tribunali i Hagës me 22 vjet burg për krime lufte kundër shqiptarëve në Kosovë në vitin 1999.
Ai e vuajti dënimin në një burg në Finlandë.
Me kërkesë të Qeverisë së Serbisë, Pavkoviç u lirua para kohe më 28 shtator, për shkak të shëndetit të tij të dobët.
Trajtimin, pastaj, e vazhdoi në Akademinë Ushtarake Mjekësore në Beograd.
Nga viti 2000 deri më 2002, Pavkoviç shërbeu si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave.
Më 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s në Republikën e atëhershme Federale të Jugosllavisë, ai ishte komandant i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave.
Në vitin 2009 u shpall fajtor në Hagë për të gjitha akuzat që e ngarkonin: dëbime, zhvendosje të detyruara, vrasje dhe persekutime të civilëve shqiptarë nga Kosova, në gjysmën e parë të vitit 1999.
Vendimi i shkallës së parë u konfirmua në vitin 2014.
Në maj të vitit 2022, Mekanizmi Ndërkombëtar në Hagë e hodhi poshtë kërkesën e Pavkoviçit për lirim të parakohshëm, për shkak të “peshës së madhe të krimeve të tij” dhe “mungesës së rehabilitimit”.
Aktakuza kundër tij dhe gjeneralëve të tjerë u ngrit në fund të vitit 2003, dhe në vitin 2005 ai u ekstradua në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë.
Së bashku me të u dënuan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, Dragolub Ojdaniq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviç, gjenerali i policisë, Sreten Llukiç, dhe ish-zëvendëskryeministri i Republikës Federale të Jugosllavisë, Nikolla Shainoviç.
Pavkoviç dhe Llukiç u dënuan me nga 22 vjet burg secili, ndërsa Ojdaniç dhe Llukiç me nga 15 vjet secili./ REL (A2 Televizion)