Qeveria në detyrë në Kosovë ka vendosur të ndihmojë me nga 100 euro të gjithë studentët në fillim të vitit të ri akademik. Kjo u bë e ditur nga kryeministri në detyrë Albin Kurti në mbledhjen e kabinetit ekzekutiv.
“Përderisa formimi i institucioneve të reja nga zgjedhjet e 9 shkurtit ende mbahet pezull ekonomia e vendit vazhdon të rritet duke shënuar një rritje prej 4.58% të bruto produktit vendor në tremujorin e dytë të këtij viti. E bashkë me ekonominë rriten e dhe të hyrat buxhetore të cilat gjithashtu kanë shënuar rritje prej 10% krahasuar me vitin paraprak. Si qeveri që ka për bazë interesin e qytetarëve tashmë kemi dëshmuar se rritjen ekonomike e ndajmë me të gjithë qytetarët sepse kur rritja ndahet ajo shumohet kur zvogëlohet pabarazia në shoqëri rritet kërkesa agregate në ekonomi e kësisoj vazhdon vit pas viti performanca e mirë ekonomike. Në kuadër të kësaj ndarje të rritjes ekonomike me rastin e fillimit të vitit akademik sot do të miratojmë vendimin për ndarjen nga 100 euro shumë e menjëhershme për të gjithë studentët që i plotësojnë kriteret. Ashtu që ata dhe familjet e tyre ta kenë më të lehtë përballimin e kostove që ndërlidhen me fillimin e vitit të ri akademik. Për mbështetje për studentë nuk mbaron me kaq”, tha Kurti.
Ai gjithashtu paralajmëroi edhe mbështetje për studentët të cilët studiojnë në qytete të tjera nga ai i vendbanimit.
“Të dashur studentë, sot do të miratojmë edhe përmbushjen e njërit prej premtimeve kyçe të qeverisë Kurti atë për bursën e mobilitetit për studentët të nivelit Bachelor. Kjo bursë do të jetë masë e përhershme dhe mbështetje e vazhdueshme për studentët në nevojë dhe shuma e mbështetjes do të varet nga distanca ndërmjet vendbanimit dhe vendit ku ju studioni. Pra, sa më larg që i bie ta keni universitetin ku studioni aq më e madhe do të jetë mbështetja për ju”, deklaroi Kurti. (A2 Televizion)