Deputetët dështuan të konstituojnë Kuvendin e Kosovës për herë të 37. Para seancës që zgjati shumë pak përfaqësuesit e shoqërisë civile mbajtën një aksion simbolik duke bërë thirrje për zgjidhje të ngërçit.
Me pankarta në duar “Deputetë, emri juaj është bllokadë”, “Boll i shërbyet partive, shërbeni shtetit”, “Cirku i Republikës së Kosovës”, “A doni të shkoni në deti” protestuan në hyrjen ku kalojnë deputetët e zgjedhur më 9 shkurt.
“Kuvendi është shndërruar në një cirk të demokracisë i cili po vazhdon me shfaqjen e njëjtë tragjikomike, ku çdo 48 orë deputetët mblidhen për disa minuta punë dhe ndonëse po shohim që të njëjtëve pagat po u ecin, puna e tyre marrë së bashku që nga momenti kur është duke u tentuar që të konstituohet kuvendi mezi arrin dy orë të plota efektive pune”, tha Eugen Cakolli nga Shoqëria Civile.
Arsyetimi i partive politike që kanë qëndrime të ndryshme si duhet vijuar me zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit përmes votimit të hapur apo të fshehtë, shihet si justifikim duke kërkuar vullnetit politik për kalimin e kësaj situate.
“As Gjykata Kushtetuese nuk mund ta zgjidh këtë ngërç për shkak se problemi kryesor në situatën e tanishme është mungesa e vullnetit politik dhe jo i mekanizmave proceduralë e ligjorë”, u shpreh Eugen Cakolli nga Shoqëria Civile.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile paralajmëruan se protesta do të vijojë.
“Do të jetë aksion i vazhdueshëm nga sot e tutje në çdo të dytën ditë siç do të vijnë edhe deputetët në kuvend edhe ne do të jemi këtu për të kundërshtuar bllokadën që është krijuar nga partitë politike dhe nga deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 9 shkurtit”, tha Mexhide Demolli nga Shoqëria Civile.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15 prill dhe kanë mbetur edhe dy pika në përfundim të saj, zgjedhja e kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. (A2 Televizion)