Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë ka vendosur të ndalojë përkohësisht importin e deleve dhe dhive të gjalla nga Maqedonia e Veriut, pas konfirmimit të rasteve me sëmundjen virale “gjuha e kaltër” në këtë vend.
“Në funksion të mbrojtjes së shëndetit të kafshëve dhe parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje në territorin e Republikës së Kosovës, nga sot ndalohet importi i ruminantëve të vegjël (dele dhe dhi) nga Maqedonia e Veriut”, thuhet në njoftimin e AUV-së.
AUV u bën thirrje të gjithë fermerëve, sidomos atyre që lëshojnë tufat në kullota afër zonave kufitare me Maqedoninë e Veriut, që të jenë të kujdesshëm, të mbajnë nën mbikëqyrje kafshët dhe të shmangin çdo kontakt me tufat e ardhura nga jashtë.
Po ashtu, autoritetet lokale janë ftuar të ndihmojnë në zbatimin e masave të kontrollit dhe ndalimit të lëvizjes së kafshëve në brezin kufitar.
Sëmundja “gjuha e kaltër” është një sëmundje virusale, e cila nuk është ngjitëse direkt nga kafsha tek kafsha apo nga kafsha te njeriu. Ajo transmetohet përmes insekteve të llojit Culicoides, dhe prek ruminantët shtëpiakë si gjedhët, delet dhe dhitë. Delja është më e ndjeshme ndaj kësaj sëmundjeje, ndërsa gjedhi mund të shërbejë si bartës pa shenja klinike.
AUV njofton se po ndjek nga afër situatën dhe do të zbatojë me rreptësi të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje në vend. Fermerëve u kërkohet që të zbatojnë masat e biosigurisë në fermat e tyre dhe të raportojnë menjëherë te veterineri çdo ndryshim në shëndetin e kafshëve. (A2 Televizion)