Ish-kandidatja për deputete e Partisë Demokratike, Ilda Zhulali zbërtheu në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN të gjithë skemën e organizuar nga Serbia për të ngritur Gjykatën Speciale në Hagë.
Sipas Zhulalit, qëllimi kryesor i Beogradit ka qenë që të njehsojë UÇK-në me një organizatë kriminale, duke përdorur madje edhe një tezë të aplikuar nga Rusia për të nisur pushtimin e Ukrainës.
“Nuk jam dakord me këtë që Hashim Thaçi apo të tjerët ju nënshtruan kërkesave të Perëndimit. Duhet ta dimë rrjedhën e saktë sesi ka ndodhur ky proces dhe se si u ndërtua gjykata në Hagë. Kjo gjykatë është krejt e pazakontë nga çfarë dimë ne si për shembull gjykata që u ndërtua për krimet në ish-Jugosllavi që u ndërtua për Bosnjën dhe një tjetër për krimet në Ruanda, ku humbën jetën më shumë se 1 milionë njerëz. Ato u ndërtuan në kohën që krimet ndodhnin. Pra ndërkohë që ndodhte lufta në Bosnje, u ngrit gjykata për të dënuar krimet aty, me qëllim që të ushtrohej presion për Millosheviçin dhe të gjithë bashkëpunëtoret e tij që të ndalonin atë çfarë po bënin dhe ti bënin apel komunitetit ndërkombëtar për të ndalur gjenocidet. Ndërkohë për Kosovën kjo gjykatë është ngritur gati 20 vite më vonë dhe kjo ka ardhur vetëm si kërkesë e Serbisë dhe synimit të saj për ta njehsuar UÇK me një organizatë kriminale. Duke njehsuar UÇK si organizatë kriminale, Serbia do të vinte gradualisht në tezën e re të saj që ishte se edhe shteti i ri i Kosovës është një shtet kriminal që po bën pogrome ndaj serbëve të Kosovës. Duke bërë kështu një jehonë të tezave që përdori Rusia në luftën në Ukrainë. Kjo ishte e gjithë prapaskena e lojës që u bë nga Serbia për ta ngritur fillimisht këtë gjykatë. Presioni ishte i madh”, tha Zhulali në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN. (A2 Televizion)