Në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës në Gjakovë po zhvillohet një prej manovrave më të rëndësishme ushtarake shumëkombëshe në Europë.
Trupa nga vende aleate të prirë nga Shtetet e Bashkuara stërviten krah për krah me Forcën e Sigurisë së Kosovës, në një operacion që synon më shumë se sa testimin e aftësive taktike.
Defender Europe 2025 është përgatitje, partneritet dhe kontribut për një rajon të sigurt.
“Në një rajon të trazuar nga historia por edhe nga zhvillimet aktuale të sigurisë, ‘Defender Europe’ është padyshim më shumë se një stërvitje ushtarake. Është një garanci e angazhimit perëndimor për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim. Për Forcën e Sigurisë së Kosovës, kjo stërvitje është më shumë se një provë taktike. Është një dëshmi e angazhimit drejt strukturave euroatlantike”.
Në Kosovë u mbajt dita e hapur e Defender Europe 25, ku në praninë e udhëheqësve më të lartë shtetëror dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, ushtarakët e Kosovës dhe ata amerikanë së bashku me trupat shqiptare dhe ata kroate përmes skenarëve të ndryshëm shfaqen gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake.
“Republika e Kosovës e ka dëshmuar se është aleat besnik, aleat i përgatitur në përputhje më forcat e NATO-s dhe aleat që është i gatshëm të ndërveprojë me forcat më profesionale ato nga Shtetet e Bashkuara, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe nga shtetet e tjera që kanë qenë prezente”, tha presidentja Osmani.
Forca e Sigurisë së Kosovës shfrytëzoi të gjithë armatimin e blerë viteve të fundit, përfshirë edhe dronët Bajraktarë që jepnin mbështetje gjatë operacionit.
Skenari nisi me rrëzimin e dronëve të armikut përmes sistemit antidron e më pas edhe me ofensivë për të marrë kontrollin e territorit.
Gjatë operacionit u dëshmuan kapacitetet e snajperëve por edhe të njësiteve ndihmëse si ajo për dhënien e ndihmës së shpejtë gjatë plagosjes së ushtarëve.
“Kemi arritur që të tregojmë, të demonostrojmë, fuqinë tonë, ndërveprueshmërinë që e kemi me NATO-n dhe në këtë mënyrë ta forcojmë kauzën tonë që anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është vetëm për dobinë tonë, por edhe për kontributin të cilin do ta japim”, deklaroi kryeministri Kurti.
Përgatitja e ushtarëve të Kosovës u vlerësua edhe nga drejtuesit e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
"Aftësia për të realizuar ndërveprueshmëri dhe për të ndërtuar gatishmëri së bashku jo vetëm që garanton siguri dhe stabilitet rajonal, por ka ndikim edhe më të gjerë. Faleminderit për mikpritjen dhe jemi të nderuar që jemi partneri juaj", tha Levon Cumpton, Shef Shtabi i Ushtrisë së SHBA për Europën dhe Azinë.
Nga Shtetet e Bashkuara, komanda taktike e Divizonit të 28 të Këmbësorisë së Ushtrisë Amerikane ishte zhvendosur në Gjakovë që drejtonte katër brigadat shumëkombëshe të përfshira në stërvitje.
Stërvitja u tha se po arrinte qëllimet e saj dhe po përmbushte misionin për ndërveprueshmërinë mes forcave aleate në raste krizash.
“Heronjtë e vërtetë janë populli i Kosovës, FSK-ja, stafi i gjeneral [Bashkim] Jasharit, oficerët dhe nënoficerët, por mbi të gjitha, ushtarët e FSK-së që ndodhen 5 mijë metra më poshtë në këtë luginë, duke u djersitur dhe duke dëshmuar aftësinë dhe vendosmërinë e tyre të fortë. Për ne, ka qenë një kënaqësi absolute të jemi këtu, dhe mezi presim të punojmë sërish me të gjitha shtetet së shpejti”.
Kosova ishte një nga 18 vendet mikpritëse dhe 29 ushtritë pjesëmarrëse në stërvitjen e këtij viti të Defender Europe që udhëhiqet nga Ushtria amerikane. (A2 Televizion)
SHBA për një rajon të sigurt, FSK dhe aleatët dëshmojnë gatishmërinë luftarake
