Për herë të parë është shpallur aktgjykim në mungesë për dhunim seksual gjatë luftës së fundit në Kosovë. Serbët Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq janë dënuar me nga 15 vjet burg për krime lufte kundër popullatës civile, përfshirë dhunë seksuale. Ata akuzohen se kanë dhunuar seksualisht një grua shqiptare gjatë luftës dhe kanë marrë pjesë në dëbimin e civilëve shqiptarë për plaçkitjen e tyre si dhe për dhunë fizike dhe psikike ndaj civilëve.
“Të akuzuarit Dragan Deniq dhe Ivica Rajkoviq shpallen fajtorë sepse si pjesëtarë të forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë gjatë luftës në Kosovë në kundërshtim me rregullat të së drejtës ndërkombëtare, të përcaktuara me Konventën e Gjenovës, të akuzuarit në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë të forcave policore, me përdorim të dhunës dhe veprimeve tjera ç’ njerëzore kanë kryer dhunimin seksual ndaj një gruaje të nacionalitetit shqiptar, ngjarje kjo e ndodhur në ose rreth datave 23-25 maj 1999 në orët e paradites, në lagjen e redaktuar, Komuna e Prishtinës. Duke vepruar në atë mënyrë që Ivica Rajkoviq dhe i pandehuri Dragan Deniq të uniformuar dhe të armatosur bashkë edhe me pjesëtarë të tjerë të paidentifikuar hyn në shtëpinë e viktimës D1 me ç’rast të dëmtuarin D2, Ivica Rajkoviq e godet me kondakt të armës, ndërsa i akuzuari Dragan Deniq e kap viktimës D1 me forcë për krahu e ngreh zvarrë e vendos në dhomë të fjetjes së saj duke e kryer dhunimin. Pas tij, dhunimin e kryen edhe Ivica Rajkoviq e pas tij edhe personi i tretë i paidentifikuar”, tha Rrahman Beqiri.
Aktakuza ndaj Rajkoviqit dhe Deniqit u ngrit në nëntor të vitit 2023. Sic pretendohet e mbijetuara e krimit, u dhunua para syve të bashkëshortit, i cili ka qenë dëshmitari kryesor i rastit. Viktimën e kanë dhunuar gjashtë persona, por vetëm dy të akuzuarit janë identifikuar prej saj, shkruan A2 CNN.
“Nga dëgjimi i dëshmitarëve është vërtetuar përtej çdo dyshimi se rreth datave 23-25 maj 1999, forcat serbe kishin ndërmarrë një ofensivë në këtë lagje, ku në mesin e shtëpive tjera kishin hyrë edhe në shtëpinë e të dëmtuarit D2. Gjykata që në fillim sqaron se nga provat, konkretisht dëshmia e dëshmitares D1, D2 dhe D3 është vërtetuar qartazi se e dëmtuara është dhunuar në atë kohë në mënyrën siç e ka përshkruar ajo. Gjithashtu, gjykata përtej çdo dyshimi e ka vërtetuar mënyrën se si ajo është dhunuar duke u tërhequr zvarrë, duke ju grisur rrobat e që pas policit të parë, ajo vazhdon të dhunohet edhe nga pjesëtarë të tjerë. Prandaj, gjykata është plotësisht e bindur që është vërtetuar ekzistimi i veprës, respektivisht është vërtetuar se e dëmtuara është dhunuar në shtëpinë e saj gjatë kohës së luftës nga forcat serbe”.
Ky është rasti i tretë i shqiptimit të aktgjykimit dënues për raste të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Sipas të dhënave të prezantuara nga institucionet në Kosovë, gjatë luftës së fundit, janë rreth 20 mijë raste të dhunimeve seksuale nga pjesëtarë të forcave serbe. (A2 Televizion)