Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin për katër të akuzuarit në rastin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicë të Veriut, që ndodhi më 6 dhjetor të vitit 2022.
Milun Milenkoviq, i njohur me nofkën “Llune”, dhe Aleksandar Vllajiq janë dënuar me nga 5 vjet burgim, ndërsa Dejan Pantiq është dënuar me 2 vjet burgim.
Ndërkaq, i akuzuari i katërt, Miomir Vakiq, është liruar nga akuza. Të gjithë të akuzuarit munguan në seancën ku u shpall aktgjykimi, meqë, sipas gjykatës, kishin kërkuar të mos jenë të pranishëm gjatë shpalljes së vendimit.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, më 6 dhjetor 2022 ishte kryer një sulm terrorist ndaj zyrave të KKZ-së në Mitrovicë të Veriut, ku ishte përdorur edhe një autoambulancë për transportimin e granatave dore. Sulmi ishte kryer me qëllim që të mos mbaheshin zgjedhjet në komunat veriore me shumicë serbe. (A2 Televizion)