Akuzohet për vrasjen e bashkëshortes, Naim Murseli del nga burgu, por futet në psikiatri për disa javë

Nga A2 CNN
20 Qershor 2025, 20:07 | Kronikë

Naim Murseli ka lënë qelinë e paraburgimit, por vetëm për t’u shtruar në Psikiatri. I akuzuari për vrasjen e ish bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, do t’i nënshtrohet për disa javë ekzaminimeve në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. 

“Është rast i ndjeshëm, është me vendim të gjykatës, ne punojmë vetëm me letra të gjykatës, kur të kryhet raporti e merrni vesh… Ai është i shtruar (në Psikiatri). Ai ka me qenë i shtruar edhe javë të tjera, derisa të përfundojmë. Do t’ia bëjmë të gjitha analizat, specifikacionet… Nga klinika juaj sot ka shkuar në Neurologji apo? Po, për ekzaminime që i kemi shkencore, asgjë tjetër”, tha Haxhibeqiri, drejtor i Institutit të Psikiatrisë.

Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori i Neurologjisë, Edmond Komoni për KosovaPress, i cili ka treguar se Murseli mëngjesin e sotëm ka kryer një elektrokardiogramë.

Në seancën e 4 qershorit trupi gjykues aprovoi kërkesën e mbrojtjes së Naim Murselit që i njëjti të kryejë ekzaminim psikiatrik.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 kishte ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

Të akuzuarit ngarkohen për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023. Dodaj është i vetmi që ka pranuar fajin deri më tani dhe është dënuar me 5 vite burg dhe gjobë 5 mijë euro për shitjen e armës së krimit.

Sipas aktakuzës Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar që vrasja të kryhej nga i akuzuari Granit Plava me marrëveshje që bashkëshorti i Liridona Ademaj, Naim Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos