Rusia nuk humbet shumë kohë dhe menjëherë qetëson Serbinë lidhur me Kosovën. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, ka ndërhyrë pas fjalëve të Presidentit Vladimir Putin, duke i dhënë zë dhe mbështetje pretendimeve territoriale të Beogradit zyrtar në dëm të Prishtinës zyrtare.
Sipas Zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme Ruse, Maria Zakharova, është një çështje ekzistenciale për Serbinë. Reagimi i Zakharovës për Kosovën dhe rëndësinë që ka ajo për Serbinë, vjen në një moment delikat kur shefi i saj në Kremlin, Vladimir Putin, hoqi një paralele mes vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare, e cila njeh pavarësinë e Kosovës, dhe shkëputjes së rajonit të Donbasit, i cili tashmë kërkon të bëhet pjesë integrale e shtetit rus.
Por a mund ta “shesë” Rusia Serbinë si në vitin 1999, kur u bombardua nga NATO? Zakharova përpiqet të shuajë dyshimet dhe të përqafojë mendimin e Beogradit për Prishtinën.
“Ndërsa përfaqësuesit e Prishtinës po sabotojnë zbatimin e detyrimeve të tyre, Perëndimi po mbyll sytë, duke i bërë presion dhe duke shantazhuar Serbinë. Do t’ju kujtoj se e ashtuquajtura Republikë e Kosovës, le ta vendosim në thonjëza, me kuazi-pavarësinë e saj, është një fëmijë i Perëndimit, fryt i agresionit barbar të NATO-s në vitin 1999, dhe se SHBA-të luajtën një rol kyç në të gjithë këtë”, tha zëdhënësja e MPJ, Zakharava.
Për Zakharovën, Kosova është një çështje ekzistenciale. Një sinjal ky për Aleksandar Vuçiç, i cili ka bërë me dije shpeshherë që nuk do ta njohë shtetin e Kosovës. Zakharova fajëson Perëndimin se po i bën presion Serbisë për Kosovën dhe arritjen e një marrëveshjeje me dialog.
"Më duket se presioni ndaj Beogradit është i padobishëm në atë kuptim, sepse ata ndoshta nuk e kuptojnë plotësisht. Ata mendojnë se do ta ndryshojnë qasjen politike të Serbisë, duke ndikuar në një farë mënyre në udhëheqjen politike. Ata nuk e kuptojnë se për Serbinë kjo nuk është një qasje politike, por një çështje ekzistenciale. Ky është thelbi, kodi kulturor, historia, ajo që e formon atë popull, historikisht", shton Zakharova.
Krijimi i Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë është edhe prioriteti që mbështet Rusia për Serbinë.
“Sot, ne vërejmë se si sponsorët e atij projekti, me fytyrën e Uashingtonit, Brukselit, janë të angazhuar në legalizimin e ndarjes së asaj toke të lashtë serbe nga Serbia, ata po e mbështesin Kurtin në të gjitha idetë e tij, ata po i mbyllin sytë ndaj sabotimit të hapur, të kryer nga përfaqësuesit e Prishtinës, të detyrimeve të tyre. Para së gjithash, është krijimi i Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë. E gjithë kjo u dakordësua dhe u konfirmua në nivel ndërkombëtar,” theksoi ajo në një konferencë javore për shtyp.
Rusia është mbështetëse e fortë e Rezolutës 1244 të OKB-së, e cila i jep një prani të konsiderueshme faktorit serb në Kosovë. (A2 Televizion)