“Isha për të bërë thirrje për qetësi”, protestat e dhunshme në Veri, anëtari i Listës Serbe justifikohet para prokurorisë

Nga Tomorr Avdia
20 Qershor 2025, 11:48 | Kronikë

“Isha për të bërë thirrje për qetësi”,

Para dëgjimit në Prokurorinë Speciale të Kosovës në cilësinë e të pandehurit për sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës dhe vepra të tjera penale në lidhje me protestat e dhjetorit 2022, anëtari i kryesisë së Listës Serbe, Igor Simiq, ka deklaruar se “po shkon me kokën lart sepse e di se ai dhe anëtarët e tjerë të Listës Serbe si përfaqësues politikë kanë qenë pranë popullit të tyre, atëherë dhe sot”.

Në përpjekje për tu paraqitur i pafajshëm para dëgjimit në Prokurori, Simiq ka pretenduar se ai dhe Lista Serbe “gjithmonë kanë qenë për paqe, kanë bërë thirrje për qetësi dhe përmbajtje tek qytetarët, dhe gjithmonë kanë bërë gjithçka që kanë pasur në dorë si parti politike për të ruajtur paqen në Kosovë”.

Në këtë proces hyjmë dhe japim këtë deklaratë jo se besojmë se ky proces është i drejtë ose se bazohet në ndonjë provë për fajësinë e ndonjërit prej mbi 40 serbëve që janë marrë në pyetje, por sepse e dimë që jemi të pafajshëm, e dimë që nuk kemi bërë asgjë të paligjshme dhe e dimë që si përfaqësues politikë kemi qenë pranë popullit tonë, atëherë, sot dhe do të jemi edhe nesër. Përfaqësuesit politikë serbë nuk kanë mundësinë që kanë disa përfaqësues politikë shqiptarë për të refuzuar thirrjet e prokurorit, sepse neve na kërcënohet arrestimi dhe paraburgimi, siç ka ndodhur me dhjetëra serbë më parë”, ka thënë Simiq.

Ai ka pretenduar se po shkon në seancë me kokën lart sepse e di që “nuk kanë bërë asgjë të paligjshme” dhe kanë qenë gjithmonë pranë popullit të tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos