Apeli në Prishtinë lë në paraburgim Popoviç

Nga A2 CNN
31 Korrik 2025, 16:53 | Kronikë

Apeli në Prishtinë lë në paraburgim Popoviç

Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e avokatit të Igor Popoviqit, duke lënë në fuqi masën e paraburgimit prej një muaji të shqiptuar ndaj zyrtarit serb.

Më 20 korrik, Gjykata Themelore në Prishtinë shqiptoi masën e paraburgimit ndaj Popoviçit, ndihmësit të drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, i cili dyshohet për veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit.

Sipas vendimit të Apelit, siç raporton Betimi për Drejtësi, shkalla e parë ka vepruar drejt kur e ka caktuar paraburgimin, pasi që, sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se Popoviq ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.

Apeli ka përmendur edhe një video ku Popoviç shihet dhe dëgjohet duke mbajtur një fjalim në rajonin e Rahovecit, përmes së cilës, Gjykata tha se mjaftueshëm krijohet dyshimi i bazuar se ai e ka kryer këtë vepër penale.

Në vendim u tha po ashtu se Popoviç ka shtetësi të Serbisë dhe nëse ai mbrohet në liri do të ishte i pakapshëm nga institucionet e Kosovës për faktin se Serbia nuk bashkëpunon me Kosovën.

Popoviq u ndalua më 18 korrik, pasi gjatë shënimit të përvjetorit të vrasjes së serbëve në Rahovec, e kishte quajtur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) “organizatë terroriste”.

Zyrtarët në Serbi e kanë dënuar arrestimin e Popoviqit, duke e cilësuar si një “vendim politik”. Ata kërkojnë lirimin e tij të menjëhershëm.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, e ka paralajmëruar Kosovën për “pasoja të paparashikueshme”, deklaratë kjo që nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është cilësuar si kërcënim.

Kurti ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të reagojë “qartë dhe me vendosmëri ndaj kërcënimeve të Vuçiçit”, që sipas tij, mund të destabilizojnë të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se vendi nuk do të tolerojë fyerje dhe përdhosje të historisë dhe të luftës së udhëhequr nga UÇK-ja.

UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.

Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.

Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, nuk janë gjetur ende.

Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte. Gjatë konferencës, Kurti tha se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos