Kosovë, ministrja Hajdari mbrohet sërish në heshtje për rastin e rezervave shtetërore

Nga A2 CNN
31 Korrik 2025, 15:16 | Kronikë

Kosovë, ministrja Hajdari mbrohet sërish në heshtje për

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, është intervistuar më 31 korrik nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurës sa i përket dyshimeve për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

“Zonja Hajdari është ftuar me qëllim të konstatimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, për të gjitha dyshimet që janë pjesë e hetimit të këtij rasti penal. Megjithatë, zonja Hajdari e ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, sikurse herën e parë kur ishte ftuar në Prokurori për këtë çështje”, tha për Radion Evropa e Lirë zyrtarja për komunikim në Prokurorinë Speciale, Arbnora Luta.

Pas intervistimit, Hajdari para mediave tha se nga Prokuroria Speciale po pyetet për blerjen e rezervave shtetërore në shkurt dhe mars të vitit 2022.

Megjithatë, Hajdari ngriti dyshime nëse procesi është i ligjshëm, duke pyetur se si Prokuroria Speciale ka hyrë në MINT “për të marrë dokumente të klasifikuara si sekret të rezervave shtetërore”

“Asnjë person nuk mund të ketë qasje në rezervën e klasifikuar sekret pa një procedurë të qartë ligjore sipas udhëzime të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe Agjencisë për mbrojtjen e informacionit të klasifikuara”, tha Hajdari.

Sipas saj, Prokuroria Speciale “bëri një gabim” pasi tha se kishte dërguar në MINT dy policë hetues “pa certifikatë sigurie dhe duke marrë dokumentet brenda një orë në ministri”.

“Këtë e ka konstatuar edhe Inspektorati Policor, me raportin informues që dy policët hetues shkuan në ministri pa certifikatë sigurie të nivelit sekret. Ky raport nga Inspektorati Policor, u dërgua edhe në Prokurorinë Speciale, për udhëzime dhe veprime të mëtejme ndaj këtyre dy policëve. Në realitet, prokurori Valdet Gashi, i cili po merret me këtë lëndë, ka liruar nga përgjegjësia këta dy policë dhe vetë prokurori po shkel ligjin”, tha Hajdari, duke shtuar se këtë çështje MINT tashmë e ka adresuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe pret që për këtë të përballet në gjykatë.

Hajdari në prill të vitit 2024 po ashtu ishte intervistuar në Prokurorinë Speciale për rastin e rezervave shtetërore dhe sikurse sot, edhe atëherë ishte mbrojtur në heshtje.

Si dëshmitar për këtë rast është ftuar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, por deri më tani ai ka refuzuar të shkojë në Prokurorinë Speciale, por ka insistuar që të japë dëshminë në Kryeministri.

Rasti i rezervave shtetërore

Më 2023, tre persona u arrestuan për rastin e rezervave shtetërore. Në mesin e tyre ishin edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Në këtë ministri, më 2023, u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku pretendohej se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.

Qeveria ka thënë se pagesat për rezervat shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos