Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka vlerësuar koordinimin mes misionit të KFOR-it dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacionin e kërkim-shpëtimit per 33-vjeçarin që ishte zhdukur në liqenin e Ujamanit në Zubin Potok.
Përmes një deklarate, Ambasada Britanike thekson se ky operacion është dëshmi e aftësive të shkëlqyera të FSK-së në kërkim dhe shpëtim dhe se bashkëpunimi me KFOR-in është në përputhje me marrëveshjet mes dy institucioneve.
Edhe Ambasadori i Francës në Kosovë ka shprehur mbështetjen e plotë të shtetit francez për KFOR-in dhe Komandantin e tij.
“Që nga krijimi i tij, KFOR-i ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të pazëvendësueshëm në garantimin e sigurisë për të gjithë. Ai meriton respektin dhe mirënjohjen e të gjithë aktorëve në rajon”, shkroi ambasadori Olivier Guerot në platformën ‘X’.
Ai gjithashtu ka vlerësuar mediat që kanë raportuar saktë për rolin e KFOR-it në përpjekjet për gjetjen e trupit të personit të zhdukur në liqenin e Ujmanit. Në lidhje me operacionin ka reaguar edhe Ambasada e Italisë në Kosovë, e cila thekson se KFOR ka vepruar brenda kufijve të mandatit të tij, përballë një rrethane fatkeqe që kërkonte ndërhyrjen e ekipit për arsye humanitare. Me herët Ambasada Gjermane kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje për politizimin e ngjarjes. (A2 Televizion)