"Kemi 1 mijë trupa në gatishmëri", komandanti i KFOR: Situata në Kosovë mbetet e brishtë

Nga Rosalba Bejdo
29 Korrik 2025, 21:03 | Kronikë

Komandanti ushtarak i KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Major, Enrico Barduani ka folur për situatën aktuale të sigurisë së Kosovë. Në një intervistë për Kosovo Online, gjanarli ka bërë me dije se, situata e sigurisë në Kosovë është e qetë por tepër e brishtë. Sipas tij, mes Kosovës dhe Serbisë ka disa çështje të pazgjidhura e cila e bën situatën të ndjeshme ndaj një përshkallëzimi të mundshëm.

"Situata e sigurisë në Kosovë është përgjithësisht e qetë, por mbetet e brishtë. Kjo do të thotë se ajo mbetet e ndjeshme ndaj përshkallëzimit të mundshëm, duke pasur parasysh disa çështje të pazgjidhura dhe përdorimin, herë pas here, të retorikës nxitëse, lëvizjeve dhe aktiviteteve të njëanshme të perceptuara nga komunitetet si provokime. Si Komandant i KFOR-it, sigurisht, përparësia ime është të siguroj që KFOR-i të mbetet i pozicionuar mirë në terren për të vazhduar të ofrojë një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, tha Enrico Barduani, Gjeneral i KFOR.

Një problem i mprehtë për Kosovën ka qenë shtrirja e autoritetit të saj të plotë në veri. Por nga ky proces bën përjashtim Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila e ka të ndaluar të stacionohet në veri. Komandanti i KFOR bën me dije se, vetëm ai ka autoritetin parësor mbi hapësirën ajrore të Kosovës.

Më lejoni të theksoj se, në përputhje me angazhimet ekzistuese të ndërmarra midis NATO-s dhe Prishtinës, FSK-ja mund të vendoset në veri të Kosovës vetëm me pëlqimin paraprak të Komandantit të KFOR-it. Sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Komandanti i KFOR-it mban autoritetin parësor mbi hapësirën ajrore të Kosovës. Kjo do të thotë se unë kam autoritetin për të miratuar ose mohuar çdo qasje në hapësirën ajrore të Kosovës”, u shpreh Enrico Barduani, Gjeneral i KFOR.

Më tej gjenerali i KFOR shton se, në rast të përshkallëzimit të situatës, është NATO e cila i vjen në ndihmë KFOR duke angazhuar afro 1 mijë trupa shtesë, shkruan A2 CNN.

“Me një forcë aktuale prej rreth 4,600 trupash nga 33 vende, përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s, KFOR-i është i përgatitur mirë për t'u përballur me situatën aktuale dhe për të vazhduar të përmbushë në mënyrë efektive mandatin e tij që rrjedh nga Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Nëse situata e sigurisë në terren kërkon një përforcim urgjent të KFOR-it, NATO ka aftësinë e plotë për të vendosur forca shtesë nga forca rezervë, si dhe për të angazhuar Forcën e Reagimit Aleat të sapokrijuar, e përbërë nga një bërthamë prej 1,000 trupash”, tha Enrico Barduani, Gjeneral i KFOR.

Komandanti i KFOR-it, ka folur për dy urat e reja që institucionet e Kosovës kanë filluar ndërtimin e tyre mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Barduani thotë se ndërtimi i urave është jashtë kompetencave të KFOR-it, por se edhe për to e mbështesin që të veprohet në bazë të dialogut në Bruksel. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos