Incidenti në veri, ekspertët: Policia e Kosovës, cak i luftës hibride

Nga Ideal Gola
26 Maj 2025, 20:16 | Kronikë

Një incident mes një maturanti dhe efektivi policor në veri të Mitrovicës ka rikthyer sërish vëmendjen në rajonin më të ndjeshëm të Kosovës. Policia sërish u akuzua për dhunë të tepruar. Ekspertët e sigurisë mendojnë se tashmë policia është cak i një lufte hibride nga Serbia.

Një incident mes një maturanti serb dhe efektivi policor në veri të Mitrovicës, ku u pretendua për dhunë të tepruar ndaj nxënësit, nxiti sërish Beogradin zyrtar të drejtonte një sërë akuzash për Kosovën.

KFOR dhe EULEX kërkuan hetime për rastin, ndërsa Policia e Kosovës sqaroi se ndërhyrja ishte për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, pasi maturanti kishte bërë thirrje dhe veprime shoviniste ndërsa kalonte pranë lokaleve ku qëndronin shqiptarë.

Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se Policia e Kosovës është bërë cak i një lufte hibride, pasi javë më parë efektivët u akuzuan për ngacmime seksuale në veri nga disa organizata joqeveritare.

Gurakuç Kuçi, nga Instituti OCTOPUS, u shpreh për A2: “Është pjesë e një strategjie të tyre që po bëjnë çdo gjë që është e mundur vetëm e vetëm të delegjitimojnë Policinë e Kosovës në veri të vendit dhe institucionet e Kosovës atje sepse ata dëshirojnë me çdo kusht, e kanë pjesë të strategjisë, që ta rikthejnë fuqinë e tyre që e kanë pasur para incidentit në Banjska dhe po ashtu të rikthejnë fuqinë e tyre deri tek ndarja e veriut të vendit”.

Serbia ka lëshuar një fletë-arrest për policin Dylot Brahimi, ndërsa në rrjete sociale të menaxhuara nga grupet serbe është bërë thirrje për vrasjen e tij. 

Incidenti ndodhi në ditën kur në veri ishte edhe Kaja Kallas. E gjithë kjo shihet si skenar i qëllimshëm pari u parapri edhe nga mesazhet e ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriç që tha se “Kosovën e marrim kur të jemi të denjë”. 

“Me atë ngacmimin e nacional-shovinizimit tek serbët dhe ngacmimin nëpërmejt luftës hibride dhe propagandës, po ashtu inskenuan një incident i cili do ta bënte të dukej veriun e vendit para syve të Kaja Kallas si një vend i cili është nën dhunën e Policisë së Kosovës”, tha Kuçi.

Institucioneve të Kosovës iu kërkohet kujdes pasi incidente të tjera mund të ndodhin sërish: “Sigurisht që mund të presim incidente të reja dhe po ashtu edhe mund të presim një diplomaci të rrejshme nga Serbia kundër Kosovës. Besoj që institucionet e Kosovës do të duhej të merrnin masa të fuqishme kundrejt këtyre incidenteve që kanë ndodhur dhe po ashtu edhe incidenteve potenciale që mund të inskenojnë Serbia nëpërmjet luftës hibride”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos