Kosovë, një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për sulmin kundër pjesëtarëve të KFOR-it

Nga A2 CNN
26 Gusht 2025, 19:47 | Kronikë

Kosovë, një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për sulmin

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar të martën masë paraburgimi prej një muaji ndaj një burri të dyshuar për pjesëmarrje në sulmin kundër pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan, më 2023.

Gjykata ka thënë se ekzistojnë dyshime se i pandehuri L.M i ka kryer veprat penale: “bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

Prokuroria ka thënë se i dyshuari i ka kryer këto vepra penale më 29 maj të vitit 2023, bashkë me shumë të dyshuar tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia.

Prokuroria u është referuar përleshjeve që kanë ndodhur atë ditë afër objektit të Komunës së Zveçanit, si pasojë e të cilave janë plagosur 93 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), nga disa protestues serbë.

Të plagosur nga kjo përplasje ka pasur edhe në anën e protestuesve.

Situata ishte përshkallëzuar pasi serbët lokalë kundërshtonin hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët gjatë atij viti. Serbët lokalë e patën bojkotuar atë proces.

NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që autorët e dhunës të mbahen përgjegjës.

Në gusht të këtij viti, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar të pandehurin me inicialet M.A me katër vjet e 11 muaj burgim, pasi ai e ka pranuar fajësinë për dhunën e ushtruar ndaj ushtarëve të KFOR-it më 2023.

Bashkimi Evropian i pati vënë Kosovës masa ndëshkuese, duke konsideruar se ajo nuk ka marrë masa të mjaftueshme për ta shtensionuar situatën.

Masat, të cilat besohet ta kenë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë të miliona eurove, kanë nisur të hiqen gradualisht prej majit të këtij viti./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos