Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka konstatuar se Naim Murseli, ish-bashkëshorti dhe i dyshuari kryesor për vrasjen e Liridona Murselit nuk vuan nga ndonjë sëmundje. Para katër javësh Murseli ishte dërguar për ekzaminim psikiatrik pas kërkesës së mbrojtjes së tij duke thënë se klienti ka shpërfaqur gjendje psikiatrike të paqëndrueshme.
“Tek i ekzaminuari Naim Murseli nuk është konstatuar ndonjë çrregullim mendor apo sëmundje mendore e karakterit të përkohshëm apo përhershëm”, thuhet në raport.
Raporti i Institutit gjithashtu thotë se “në momentin e kryerjes së veprës për të cilën akuzohet, nuk është identifikuar ndonjë simptomatologji e nivelit patologjik, e cila do të mund të ndikonte në aftësinë e tij mendore për ta kuptuar rëndësinë e veprës si dhe të kontrollojë veprimet e tij. Kjo është bazuar edhe në sjelljen e tij dhe dinamikën para, gjatë dhe pas veprës, për të cilën akuzohet”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 kishte ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.
Të akuzuarit ngarkohen për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023. Dodaj është i vetmi që ka pranuar fajin deri më tani dhe është dënuar me 5 vite burg dhe gjobë 5 mijë euro për shitjen e armës së krimit.
Sipas aktakuzës Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar që vrasja të kryhej nga i akuzuari Granit Plava me marrëveshje që bashkëshorti i Liridona Ademaj, Naim Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. (A2 Televizion)