Vdekja e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu pas arrestimit në Lipjan ka ngritur pikëpyetje për sjelljen e efektivëve policorë dhe përgatitjen e tyre.
Tashmë, hetimet do të zbulojnë më shumë nëse efektivët policorë Ibrahim Nela, Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri tejkaluan kompetencat në rastin konkret, shkruan A2.
Njohësit e çështjeve të sigurisë kërkojnë që të ketë një angazhim dhe investim më të madh në edukimin e efektivëve të rinj dhe trajnime të vazhdueshme.
Juristi Anton Nrecaj u shpreh: “Të gjitha institucionet të reflektojnë duke filluar në reformimin e Policisë së Kosovës nga akademia e Policisë së Kosovës, të shndërrohet vërtetë në një akademi dhe jo një institucion ku polici sot pas tre muajsh nuk mund të jetë si zanatli. Polici duhet të jetë i përgatitur qoftë në aspektin arsimor, por edhe fizik”.
Arben Dashevci, ekspert sigurie, tha: “Nuk mjaftojnë as 6 muaj, por duhet të jetë 1-vjeçare që kur polici të dalë në terren ose në trajnimin e tij që vazhdon të jetë i përgatitur si për nga etika si për nga mënyra e sjelljes dhe si për nga testet e pjekurisë”.
Pas rastit, pakënaqësitë ndaj Policisë së Kosovës filluan të shprehen më shumë duke bërë që kryeministri në detyrë Albin Kurti të bëjë ftesë që të mos ketë anti-fushatë ndaj këtij institucioni. Edhe ekspertët mendojnë se objektiv nuk duhet të jetë i gjithë institucioni, por duhet të kërkohet përgjegjësi.
“Policia e Kosovës është e jona dhe ne duhet ta mbështesim dhe të bashkëpunojmë me Policinë e Kosovës natyrisht duhet të kërkojmë përgjegjësi në situata ku policia dështon kjo është dhe duhet të jetë revolta e gjithë qytetarëve”, tha Nrecaj.
Agon Zejnullahu kishte shfaqur agresivitet para arrestimit duke bërë që të kërkohet reagimi i policisë në Lipjan, por menjëherë pas arrestimit ai ka vdekur. (A2 Televizion)