Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Lipjan, ku Agon Zejnullahu vdiq pak momente pas arrestimit, kanë ardhur dhe ndryshimet e para në hierarkinë e Stacionit Policor në Lipjan.
Komandanti i këtij stacioni, Argjend Gashi, dha dorëheqjen e cila është pranuar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha. Ky veprim që u tha se ishte si akt moral nuk është i majftueshëm për shoqërinë civile, që ka reaguar dhe protestuar që nga momenti kur ndodhi ngjarja.
Kenan Gashi deklaroi: “Do të ishte e ndershme dhe e përgjegjshme të japin dorëheqje drejtori rajonal i policisë për rajonin e Prishtinës dhe drejtori i përgjithshëm për shkak se janë përgjegjës ata është dashur të planifikojnë e të menaxhojnë për afatgjatë për veprimet të cilat janë të thirrur në kuadër të Policisë së Kosovës dhe kompetenca me të cilën kanë Policia e Kosovës”.
Në vlerësimin e tyre, policia nuk ka treguar as humanizëm duke mos i dhënë ndihmën e parë 27-vjeçarit që ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore: “Lidhja me duart me pranga e natyrisht futja në autoambulancë me pranga është një prej shqetësimeve tona, vazhdon të mbetet shqetësim, sepse ne mund të themi çfarëdo forme të cilën mund ta konsiderojmë, por mbi të gjitha Agoni ka vdekur në duart e policisë tek zyrtarët policorë”.
Qytetarët shprehin ende besim në Policinë e Kosovës, ndërsa thonë se duhet të ketë më shumë investime e trajnime për të gjithë efektivët policorë.
Pesë efektivët policorë të përfshirë në rast Ibrahim Nela, Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri janë në paraburgim prej një muaji me vendim të gjykatës. (A2 Televizion)