Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi se ka caktuar 22 dhjetorin si datë për mbajtjen e seancës për shqyrtimin fillestar lidhur me aktakuzën për krime lufte në Kosovë ndaj Dushan Gavraniq, Zoran Sharac dhe Zharko Cvetanoviq.
Aktakuza për krime lufte kundër popullatës civile ndaj tyre u ngrit më 30 dhjetor të vitit të kaluar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila ka propozuar që gjykimi për këtë rast të zhvillohet në mungesë, për shkak te të pandehurit janë të paarritshëm për autoritetet e drejtësisë në Kosovë.
“Për këtë arsye, përmes kësaj komunikate ju bëhet thirrje të pandehurve Dushan Gavraniq, Zoran Sharac dhe Zharko Cvetanoviq, që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës”, u tha në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Speciale, dyshohet se Gavraniq në cilësinë e personit zyrtar në territorin e Komunës së Gjilanit, në periudhën janar-korrik 1999, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar apo për të raportuar për vrasjet, plagosjet dhe djegien për së gjalli të viktimave civile shqiptare, marrjen peng, rrahjet, maltretimet dhe dëbimin e popullatës civile shqiptare në fshatrat Kokaj, Llovcë, Pogragjë dhe Uglar.
Ndërkaq për Cvetanoviqin, Prokuroria tha se ai dyshohet se së bashku me një grup, që e ka quajtur kriminal, ka marrë pjesë në vrasjen e tetë civilëve shqiptarë, gjithashtu në rajonin e Gjilanit.
“Konkretisht dy nga këto viktima i kanë vendosur në grumbull drunjësh, ku njëri nga ta është djegur për së gjalli", kishte thënë Prokuroria Speciale në njoftimin e saj për ngritjen e aktakuzës.
I pandehuri tjetër, Zoranb Sharac dyshohet se në cilësinë e mjekut të Spitalit rajonal të Gjilanit, nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore viktimës N.R., më 5 prill 1999, për të cilin Prokuroria pretendon se ishte plagosur vetëm pse ishte shqiptar.
Prokuroria Speciale ka ngritur një sërë aktakuzash tjera në mungesë në ditët e fundit, kryesisht për krime të kryera gjatë luftës në Kosovës. Në korrik të këtij viti, kjo prokurori ngriti aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.
Ndryshe, gjykimet në mungesë, sipas sistemit të drejtësisë në Kosovë, mund të zhvillohet vetëm me kusht që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për ta siguruar praninë e të akuzuarit. REL (A2 Televizion)