Naim Murseli dhe Granit Plava nuk kanë asnjë problem të shëndetit mendor. Ekzaminimi psikiatrik i tyre ishte në qendër të seancës së radhës gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt
Pasi kishin kryer ekzaminimet psikike, në gjykatë u ftuan për t’u përgjigj në pyetje mjekët nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike që kryesuan komisionet e vlerësimit për dy të akuzuarit.
Për Naim Murselin, u tha se janë shfrytëzuar testet dhe analizat e nevojshme dhe rezultati është i qartë.
“Prej fëmijërisë e deri tani nuk janë shfaqur asnjë element i ndonjë çrregullimi të shqetësimit dhe në bazë të shkresave të lëndës nuk është ofruar asnjë dokument që do ta vërtetojë këtë çrregullim”, shprehet Shpend Haxhibeqiri nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike.
I akuzuari Naim Murseli, gjatë parashtrimit të pyetjeve, u shpreh i shqetësuar me rrjedhjen e raportit në media.
Ai tha se mediat kanë raportuar se “ka qenë i vetëdijshëm për vrasjen” duke i kërkuar sqarime mjekut nëse ka pranuar fajësinë në prani të tij.
“A e kam pranuar ndonjëherë fajësinë për veprën që e kam bërë, për të cilën akuzohem, më fal. Apo e kam mohuar dhe e kam treguar versionin tim?”, tha Murseli.
“Gjatë vlerësimit tonë ne asnjëherë nuk kemi parashtruar pyetjen apo kemi bërë shtytjen që i njëjti se a ka kryer veprën apo jo. Por është e vërtetë që i njëjti ka mohuar gjatë deklarimit që ky e ka bërë veprën”, shtoi Haxhibeqiri.
Sa i përket Granit Plavës, të akuzuarit që dyshohet se ka shkrepur armën që i mori jetën Liridona Ademajt, është konfirmuar se ka qenë përdorues i kokainës.
Plava gjithashtu ishte aksidentuar me motoçikletë para kryerjes së aktit të dyshuar, por që për të dy rastet u tha se nuk mund të kenë ndikuar ne shtytjen e tij drejt kryerjes së veprës.
“Ekipi vlerësues nuk ka mundur të gjejë, ka përjashtuar ndikimin e faktorit aksident në çreguullimin e mundshëm psikik”, deklaroi doktori Bujar Obertinca.
Avokati mbrojtës pyeti mjekun nëse mund të kishte ndikuar kafeja meqë në ditën kritike, Plava besohet të ketë pirë tri të tilla.
“A mund të ketë ndikuar simuluesi si kafeina që Graniti e përmend se i ka dhënë energji të madhe në momentin kur e pi” , tha avokati Dojani.
“Ka pi shumë kafe dhe kafja e ka ndikuar me çu me vra?”, tha e çuditur gjyqtarja.
“Kafeja bën pjesë në grupin e psikosimuluesve dhe ka mundur të jep një energji shtesë, por jo diçka që ka mundur të ndikojë në aspektin kongitiv në lidhje me veprën”, shtoi Obërtinca.
Seanca e radhës në rastin e Liridona Ademajt, e privuar nga jeta në sytë e fëmijëve të saj në nëntor të vitit 2023, do të vijojë muajin e ardhshëm.
Me kërkesë të avokatit të familjes Ademaj dhe miratim të Prokurorisë, u hoqën nga lista e dëshmitarëve familjarët e Liridonës, babai, nëna dhe motra për shkak të gjendjes së rënduar emocionale. (A2 Televizion)