Ligji për të huajt dhe automjetet, qeveria pajtohet me BE për masa lehtësuese për serbët

Nga Ideal Gola
14 Mars 2026, 13:22 | Kosova

Në vigjilje të zbatimit të plotë të Ligjit për të Huajt dhe atë për Automjete, Qeveria e Kosovës arriti pajtueshmëri me Bashkimin Evropian për disa masa shtesë për të mos ndikuar në ofrimin e shërbimeve për serbët në veri.

Kjo u arrit të shtunën kur në Prishtinë qëndroi Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Peter Sorensen.

Këto dy ligje kufizojnë periudhën kohore të qëndrimit të shtetasve të huaj dhe atyre që punojnë në Kosovë dhe detyrimin për t’u pajisur me lejeqëndrim, si dhe për drejtimin e automjeteve me targa të huaja nga shtetas të huaj ose rezidentë në Kosovë.

Nga zbatimi i këtij ligji do të preken edhe një numër i konsiderueshëm i personave të angazhuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe edukative në sistemin ilegal paralel të financuar nga Serbia.

Qeveria e Kosovës u pajtua të ofrojë leje qëndrimi për punëtorët dhe studentët për një periudhë 12-mujore me mundësi vazhdimi, me qëllim parandalimin e çdo ndërprerjeje të shërbimeve shëndetësore dhe edukative.

Kryeministri Albin Kurti nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së plotë të sistemit të edukimit dhe atij shëndetësor në komunat me shumicë serbe brenda kornizës ligjore të Republikës së Kosovës.

“Dua të theksoj fuqishëm që njësoj është qëndrimi i Republikës së Kosovës, që në Kosovë nuk duhet dhe nuk mund të ketë mekanizma ilegalë të cilët mirëmbahen e financohen nga një shtet jomiqësor e që nuk e njeh Republikën e Kosovës.”

Kryetarët e komunave në veri janë të obliguar të hartojnë listat e stafit akademik, shëndetësor dhe të studentëve që qëndrojnë në Kosovë për qëllime studimi, me informata të detajuara për fushën e studimit dhe vitin akademik, dhe t’ia dorëzojnë Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Për të siguruar që shërbimet të mos ndërpriten, BE-ja i kërkon Kosovës të lejojë përdorimin e lejeve të njoftimit të lëshuara nga Serbia jo më vonë se 15 marsi 2026 për ata që jetojnë në Kosovë, si mjet identifikimi për proceset administrative. Në të njëjtën kohë, qeveria e Kosovës duhet të regjistrojë individët e pranueshëm në Sistemin Qendror të Regjistrit të Gjendjes Civile të Kosovës sipas Ligjit të Kosovës, në përputhje me faktet e tyre të Gjendjes Civile.

Qeveria e Kosovës për një periudhë 3-mujore do t’ju mundësojë qytetarëve të nacionalitetit serb të regjistrojnë faktet civile, të cilat deri me datën 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë, aplikantëve do t’ju lejohet edhe përdorimi si mjet identifikimi i ID-kartelave të lëshuara nga strukturat ilegale.

Për kryeministrin Albin Kurti, ky proces regjistrimi është në shërbim të përfshirjes së këtyre institucioneve ilegale nën ombrellën e shtetit të Kosovës dhe shuarjen e plotë të tyre.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në koordinim të vazhdueshëm me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian dhe në bashkëpunim me ofruesit e këtyre shërbimeve publike, fillojnë procedurat e domosdoshme dhe përcaktojnë afatet optimale për inkorporim të plotë, përfshirë këtu licensimin e institucioneve dhe të stafit të angazhuar.

Çdo proces që prek këto institucione kërkon kohë, duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i konfirmuar brenda kornizës së të gjitha marrëveshjeve përkatëse të arritura brenda dialogut. Ne kemi këmbëngulur në konsultime të strukturuara gjatë gjithë procesit me përfaqësuesit e komunitetit serb të Kosovës për të kërkuar mbështetjen e tyre. Ky proces duhet të kryhet në bashkëpunim të ngushtë me mua si Përfaqësues Special të BE-së për Dialogun.

Vendimi për masa të lehtësuara për serbët për aplikimin e Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjete është mirëpritur nga vendet e QUINT-it.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos