
Është shtyrë për në orën 14:00 seanca për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, që sot ka hyrë në ditën e fundit të afatit kushtetues, raporton A2CNN. Seanca u mbajt fillimisht në orën 10:00, por kryeparlamentarja Albulena Haxhiu shtyhu seancën, me argumentin se do të pritet për pjesëmarrjen e deputetëve të opozitës.
Vendi do të shkojë sërish në zgjedhje të reja parlamentare, në rast se nuk zgjidhet kreu i shtetit deri në mesnatë.
Të hënën, në votimin e parë morën pjesë më pak se 80 deputetë. Lëvizja Vetëvendosje propozoi dy kandidate për presidente: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën, ku Rushiti mori 63 vota në raundin e parë, ndërs Hoxha asnjë votë.
Partitë opozitare bojkotuan seancën duke e konsideruar anti-kushtetuese nisjen e mbledhjes pa praninë e 80 deputetëve në sallë. LDK ka propozuar si kandidate për Presidente Vjosa Osmani, e cila dorëzoi më 4 prill mandatin e saj 5-vjeçar në krye të shtetit, por gjasat që emri i saj të pranohet nga "Vetëvendosja" duken të vogla.
Po çfarë parashikon Kushtetuta për zgjedhjen e Presidentit?
1. Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.
2. Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.
3. Secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidatë për President të Republikës së Kosovës, nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidatë për President të Republikës së Kosovës.
4. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
5. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet President i Republikës së Kosovës.
6. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.
(A2 Televizion)