S’ka kompromise!, partitë politike sfidojnë Gjykatën Kushtetuese

Nga A2 CNN
2 Korrik 2025, 19:59 | Politikë

Partitë politike parlamentare po sfidojnë Gjykatën Kushtetuese duke mos zbatuar vendimin e saj të fundit që i urdhëron të konstituojnë Kuvendin në afat prej 30 ditësh.

Sjelljet dhe qëndrimet aktuale nuk japin shpresë për ndonjë zgjidhje të shpejtë, përkundër që të mërkurën një përpjekje përafrimi e bëri edhe presidentja Vjosa Osmani.

“Vendimi dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese duhej të zbatohej pa hezitim dhe ai në mënyrë eksplicite dhe të qartë e ngarkon partinë fituese të zgjedhjeve që nëpërmjet kompromisit të gjejë rrugën e konstituuimit të organeve të reja. Po ashtu deklaron se të gjithë deputetët në një mënyrë janë përgjegjës për konstituuimin e Kuvendit të Kosovës”, shprehet analisti Afrim Kasolli.

Seanca konstituuive që ka nisur më 15 prill po vazhdon ende pasi përpjekja për të formuar një komision për menaxhimin e votimit të fshehtë nuk po kalon me shumicë votash.

Partitë që deri dje ishin në opozitë e quajnë këtë komision si antikushtetues.

“Duket që politika ka vendosur t’ia komplikojë vetes punët, të blejë kohë edhe më shumë në këtë drejtim, prandaj po nxjerrin kësi sfida e telashe të reja edhe për një interpretim që është i qartë”, shton Kasolli.

Tri partitë më të mëdha, Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike kanë vendosur sërish t’i drejtohen Kushtetueses për sqarime të tjera.

Një mundësi e tillë tashmë lihet e hapur edhe nga presidentja Vjosa Osmani. 

“Këto i incitiavë paralelisht me ftesën e presidentes tregojnë që nuk e kanë mendjen aktualisht ta zhbllokojnë por po ju duhet një alibi shtesë juridike për bllokadën e cila po vazhdon e që nuk po i shihet fundi në horizont”, deklaroi analisti.

Që pas vendimit të Kushtetueses, Kuvendi është mbledhur tri herë por pa ndonjë rezultat ndryshe me partitë që vijojnë të interpretojnë ndryshe vendimin e gjykatës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos