Takimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti me kandidatin për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, ka nxitur debate në vend, teksa kriza politike vijon të mbajë pezull krijimin e qeverisë dhe institucioneve të reja.
Analistët në Kosovë, vlerësojnë se takimi i së hënës është një njohje e realitetit nga ana e Kurtit, edhe pse vlerësojnë se një koalicion i mundshëm me PDK, nuk është zgjidhje e preferueshme, veçanërisht nga Vetëvendosje dhe do të shoqërohej me një seri sfidash për të dyja partitë.
Sipas analistëve takimi me Hamzën i shërben agjendës së Kurtit për të përforcuar qëndrimet e tij, që i shpalosi dhe në takimin me presidenten Osmani, e që kanë të bëjnë më zgjedhjet e parakohshme.
Ata thonë se Kurti nuk e ka shumicën parlamentare siç pretendon, por edhe opozita po sillet në mënyrë të papërshtatshme duke treguar se është tejet e frikësuar.
Takimi i Kurtit me Hamzën, erdhi pas dështimit të përpjekjes së 29 për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Opozita vijon të kundërshtojë propozimin e VV për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare parlamenti, dhe po ashtu idenë e mbajtjes së një votimi të fshehtë. (A2 Televizion)