Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari e vlerësoi si tërësisht politike akuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës ndaj saj për rastin e njohur si “rezervat shtetërore”.
Hajdari dhe tre të tjerë akuzohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë rreth 3 milionë euro.
Në një konferencë, ministrja në detyrë Hajdari tha se ka qenë jetike sigurimi i rezervave gjatë periudhës shkurt-mars 2022 pasi siguria kombëtare ishte në rrezik, sidomos pasi kishte nisur lufta në Ukrainë.
Ajo akuzoi prokurorin e çështjes, Valdet Gashi dhe ushtruesin e detyrës së kryeprokurorit, Blerim Isufaj për akuzat sipas saj të pabaza dhe që dërguan hetues pa certifikatë sigurie për hetime për rezevrat shtetërore që klasifikohen si sekret shtetëror.
“Të gjitha të ashtuquajturat prova të Prokurorisë Speciale janë mbledhur jashtë ligjshmërisë përmes hetuesve që kanë zbatuar urdhrin e prokurorit Valdet Gashi, i cili i ka dërguar në MINT pa certifikatë të sigurisë”, tha Hajdari.
Në akuzën e Prokurorisë thuhet se një sasi vaji dhe një sasi gruri e blerë jashtë vendit dyshohet se nuk kanë arritur kurrë në Kosovë.
Hajdari tha se një përqindje e një produkti bazë nuk ka arritur në sasinë e paguar por për këtë kanë paditur kompaninë e kontraktuar, duke shtuar se mjetet e paguara do t’i kthehen shtetit.
“Në interes të cilës palë të tretë kam vepruar? Pa siguruar interes për palë të treta nuk ka vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare sepse procedura gjyqësore kundër kompanive të paditura do t'ia kthejnë dëmin e shkaktuar buxhetit”, u shpreh Hajdari.
Hajdari gjithashtu përjashtoi përfshirjen e kryeministrit në detyrë Albin Kurti në këtë çështje.
Sipas saj, i vetmi vendim i Kurtit, ishte që e hoqi nga procedurat e prokurimit publik çështjen e sigurimit të produkteve pasi në atë kohë askush nuk ofertonte meqë kishte pasiguri të mëdha pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
“Këtu nuk ka asnjë lidhje kryeministri Kurti. Kryeministri Kurti ka të vetmen lidhje që ka aprovuar në qeveri kërkesën tonë të ligjshme sipas ligjeve në fuqi për largimin nga procedurat e prokurimit publik pasi dështuam tri herë. Kjo është e vetmja ndërhyrje ligjore e qeverisë”, theksoi ministrja Hajdari.
Përpos Hajdarit, me akuza për shpërdorim detyre zyrtare dhe ndihmë për kryerjen e kësaj vepre akuzohen edhe dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, si dhe biznesmeni Ridvan Muharremi. (A2 Televizion)
