Analiza: Çfarë sinjali japin rezultatet e zgjedhjeve lokale?

Nga A2 CNN
13 Tetor 2025, 16:19 | Politikë

Analiza: Çfarë sinjali japin rezultatet e zgjedhjeve lokale?

Rezultati i zgjedhjeve lokale të 12 tetorit në Kosovë, i cili çoi në balotazh 17 komuna, vlerësohet se do të jetë përcaktues edhe për zhvillimet politike në nivelin qendror.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, politologu Dritëro Arifi dhe hulumtuesja në Grupin Këshilldhënës në Evropë për Politika të Ballkanit (BiEPAG), Donika Emini, thonë se gara e partive politike në rundin e dytë të votimit do t'i ndikojë negociatat për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

“Ose do të kemi një qeveri shumë të shpejtë, me një koalicion të madh shqiptar – LVV, PDK dhe LDK, ose do të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, thotë Arifi.

Sipas Eminit, partitë e ish-opozitës nuk do të bëjnë shumë lehtë një koalicion qeveritar me Lëvizjen Vetëvendosje, derisa janë në garë të ashpër me të në disa komuna për rundin e dytë, përfshirë kryeqytetin, Prishtinën.

Sa i përket veriut të Kosovës, ku Lista Serbe u rikthye në pushtet, Arifi dhe Emini thonë se mbetet për t’u parë se si do të udhëheqë partia më e madhe e serbëve të Kosovës, dhe nëse ajo do t'i zhbëjë vendimet e kryetarëve shqiptarë./REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos