Ka dështuar sërish ditën e sotme seanca për konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës, shkruan A2 CNN.
Sipas burimeve bëhet me dije se seanca dështoi për shkak se nuk doli në votim raporti për verifikimin e mandateve.
Seanca e sotme ishte vazhdim i seancës të së martës, ku dështoi të votohet raporti për verifikimin e mandateve të deputetëve, shkruan A2 CNN.
Kryesuesi i seancës, deputeti i zgjedhur i LVV-së, Avni Dehari, tha se “nuk pati konsensus” në konsultimet që i thirri paraprakisht me përfaqësuesit e partive politike.
“Takimi shpërfaqi qëndrimet aktuale të tyre. Pati përfaqësues që e braktisën konsultimin. Fatkeqësisht nuk pati konsensus. Seanca do të vazhdojë brenda 48 orëve, në orën 12:00 më 19 prill 2025, me shpresë që deri atëherë të ketë pajtueshmëri”, tha ai, shkruan A2 CNN.
“Ju faleminderit të gjithëve dhe mirupafshim së shpejti”, tha Dehari, ndërsa deputetët nisën të dilnin nga salla kryesore e Kuvendit.
Para ndërprerjes së seancës, siç tha kryesuesi, 100 deputetë ishin të pranishëm në sallë. (A2 Televizion)