Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka ngecur. Kështu është shprehur Shefja për Politikën e Jashtme të BE, Kaja Kallas.
Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Kallas tha se së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm po shqyrton mundësi të reja për ecurinë normale të dialogut.
“Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet. Jam e gatshme ta shqyrtoj këtë çështje, dhe do ta bëj këtë së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm në ditët në vijim”, tha Kallas, e cila pritet ta vizitojë Ballkanin Perëndimor javën e ardhshme, shkruan A2.
Ajo shtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është në interes të Bashkimit Europian. Kallas foli gjithashtu për ndikimin e mundshëm të luftës tregtare mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për mundësinë e një armëpushimi në Ukrainë, duke theksuar nevojën për përfshirjen e Evropës në çdo negociatë për këtë çështje. (A2 Televizion)