Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka drejtuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e cilësuar si shkaktar të krizës aktuale politike dhe institucionale në vend, siç tha ai vendi po e paguan çmimin e një “mashtruesi”.
Sipas tij, Kurti po e mban peng vendin, duke bllokuar proceset politike dhe duke mos reflektuar pas zgjedhjeve, raporton KosovaPress.
“Kjo pyetje duhet t’i behet veç një njeriut, mashtruesit, Albin Kurti. Për fat të keq jemi duke e paguar çmimin që i kemi besuar një mashtruesi. Dhe për mua nuk është befasi, e dini vlerësimin tim për të, por edhe kjo situatë duhet të marrë fund dikur. Pra, mashtruesi nuk mundet pa kufi me u tall me një vend. Kjo pyetje duhet t’i behet mashtruesit, ka marrë shumicën e votave, po e mban peng Kosovën, gjithë ne tjerët jemi peng i tij, nuk bën të shkohet pa kufi. Këto takimet tjera, përrallat, pi kafe ky me atë, janë veç hajgare. Një njeri është duke e mbajt peng Kosovën, po vazhdon t’i bëjë të këqija, por le të mbushen mend njëherë e përgjithmonë”, ka thënë Haradinaj.
Tridhjetetre vazhdimet e deritanishme kanë dështuar për formimin e legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhjet e nëntë shkurtit.
Përveç betimit të deputetëve të zgjedhur, Kuvendi i ri ka mbetur i pa konstituar në mungesë të zgjedhjes së kryetarit të ri dhe nënkryetarëve.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA nuk po i japin votën kandidates së propozuar për kryetare nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa.
Albulena Haxhiu në gjashtë tentime ka dështuar të kalojë provimin dhe në mungesë të kësaj Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa po kërkojnë komision për votim të fshehtë, për të cilën gjë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese.
Kujtojmë, zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më nëntë (9) shkurt. Mbledhja e parë për konstituimin e Kuvendit të ri është mbajtur më pesëmbëdhjetë (15) prill. Që nga ajo datë çdo dyzetetetë (48) orë po mbahen vazhdime të seancës konstituive pa arritur ndonjë rezultat konkret.
(A2 Televizion)