Analistët politikë në Prishtinë vlerësojnë se përmendja e Kosovës nga presidenti amerikan Donald Trump, ndonëse e bërë në kuadër të një krahasimi me konflikte të tjera ndërkombëtare, përbën një sinjal domethënës për rolin amerikan në rajon.
Për KosovaPress, ata bëjnë thirrje që këshilltarët ta orientojnë kreun e Shtëpisë së Bardhë që të përfshihet në çështjen Prishtinë-Beograd.
“Rikujtimi i një ngjarje nga ana e presidentit Trump për neve e pati rëndësinë që u përmend emri Kosovë. Se kur do të vijë ai moment që do të ketë një riaktivizim të konkretizuar të Administratës Trump në raport me Ballkanin e posaçërisht raportet Kosovë-Serbi e dialogun, unë prapë po them Republika e Kosovës e ka për obligim vetëm të jetë e përgatitur për çdo situatë dhe të ketë institucionet. E vetmja gjë që është pozitive është që ka një rikujtim për neve nga ana e presidentit Trump duke përmendur Kosovën qoftë edhe për shpjegimin e një konteksti tjetër të një situate të asaj që megjithatë SHBA-të edhe në mandatin e dytë të presidenti Trump e kanë Kosovën parasysh”, shprehet Labinot Maloku.
“Çfarë veçorish ka personal dhe karakter të një politikani me stilin e veprimit më tepër të shoumenit dhe biznesmenit në zgjidhjen, prerjen shpejt dhe me efikasitet e vendosmëri të problemeve dhe lidhjes së marrëveshjeve, ndikimit në këtë rast, posaçërisht në situatën kur Bashkimi Evropian është ambicioz, i pafuqishëm, miop në politikat e tij edhe në relacion me dialogun Kosovë-Serbi, patjetër që tani besoj që këshillëdhënësit e Trump do të duhej ta orientonin atë që sidomos sekretari i Jashtëm, që e njeh mirë çështjen e Kosovës dhe Ballkanin, ta orientonin që në Kosovë do të duhej domosdo dhe drejtpërdrejt të involvohet SHBA-ja”, shton Mazllum Baraliu. (A2 Televizion)